Punonjësit e Portit në protestë për pagat: Patronazhistë të PS marrin rrogë pa ardhur në punë!

Punonjësit e Portit të Shëngjinit janë hedhur në protestë sot sepse ata nuk kanë marrë nga porti as pagën e muajit dhjetor 2022 dhe as të ashtuquajturin shpërblim që kryeministri Edi Rama i akordoi qytetarëve në kuadrin e “Pakos së Madhe kundër Inflacionit”.

Pagat e tyre janë të ulëta, nën 40 mijë lekë në muaj, megjithatë janë shpresa e tyre e vetme për të mbajtur familjet dhe ndaj kanë dërguar në drejtorinë e Portit, përfaqësuesit e sindikatës. Por përgjigja deri tani ka qenë negative: Porti nuk ka para në gjendje.

Nga ana tjetër, atyre nuk është garantuar as dhënia e Paketës antikrizë, ashtu siç u takon si kategori zjarrfikësish apo me paga të ulëta.

Porti nuk ka para, është arsyeja kryesore që u thonë drejtuesit, por ajo që këta drejtues e fshehin është se në port janë regjistruar dhjetëra punonjës për t’u paguar pa u paraqitur asnjë ditë në punë.

Emrat e tyre janë në bordero, ndërsa në punë realisht çdo ditë paraqiten afro 50 vetë.

Njeri nga punonjësit e shpjegoi situatën për gazetarin Martin Marku.  Ai tha:  “Si çdo punonjës i republikës që ka pritur nga paketa “Rama”, na takon një shpërblim “antikrizë”. Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga drejtoria e ndërmarrjes për punën e Paketës, lekët që do të na jepen, përveçse e kemi pagën e vogël nën 40 mijë lekë. 40 mijë lekë e kanë punonjësit e zjarrfikëses e të pastrimit.

Ne presim të marrim si çdo qytetar, Paketën që na takon, kur as rrogat e muajit dhjetor 2022 nuk na janë dhënë, sepse porti nuk ka pasur të ardhura, probleme financiare.  Ndaj, kërkojmë edhe rrogën, edhe shpërblimin që na takon.

Kryetari i sindikatës dhe ai i Konfederatës ka qenë tek drejtori dhe i ka thënë se nuk kemi lekë, akoma nuk kemi mundësi… Kanë komunikuar edhe me Mimoza Dhëmbin, kryetaren e këshillit mbikqyrës dhe ka thënë se do t’ju japim përgjigje por përgjigje nuk kemi marrë.

Pra, as pagën s’e kemi marrë, as kemi shpresa për shpërblimin që duhet të na jepet. Duhet të na takojë edhe si punonjës të sektorit zjarrfikës, dhe si punonjës me paga minimale.

As sektorët e tjerë në port nuk kanë marrë pagat e dhjetorit dhe as shpërblimin që u takon.

Zëri ynë kryesor jeni ju mediet, se duhet ta kuptojnë dhe drejtuesit që të marrin masa për t’u dhënë pagesën atyre që u takon.

Ka pasur edhe vonesa të tjera pagash, p.sh. pagën e nëntorit e kemi marrë më 28 dhjetor, pra edhe Krishtlindjet i kemi kaluar pa u paguar.

Po cila është arsyeja?

Kjo ndodh se këtu në Portin e Shëngjinit ka pasur një mbingarkesë për futjen e njerëzve në punë, njerëz që marrin rrogën në Port dhe nuk vijnë në punë.

Janë një pjesë e mirë që nuk vijnë në punë fare dhe e marrin rrogën pa ardhur në punë; dihet ajo punë, i kanë vetë ato dispensat. Po t’i bëjnë një kontroll Portit, do të shohin se nga 130 punonjës këtu, vetëm nja 50 mund të jenë në punë, me gjithë administratën”.

About Redaksia

Check Also

Trump sulmon prokurorin: Do hetohet, është i korruptuar, mund të ekzekutojë njerëz

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të …

Leave a Reply