Familja Shpati është zgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një shpërthim i fuqishëm në banesën e tyre. Një sasi lënde eksploziv është vendosur në banesën e Pëllumb Shpatit, Shef i Krimeve në Komisariatin e Shkodrës rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç, në periferi të Shkodrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale në dyer, mure, dritare si dhe në automjete.
Babai i Shefit të Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpatit, që ishte në shenjestrën e shpërthimit me tritol sot në mëngjes, dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së djalit të tij. Në një deklaratë për mediat, Gjergj Shpati është shprehur se në banesën ku u vendos lënda shpërthyese jetojnë tre familje, ndërsa shton se dëmet materiale janë të shumta. Ai thotë se nuk ka dijeni nëse djali i tij është kërcënuar së fundi, ndërsa kërkon hetimin e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Tritoli i vendosur në shtëpinë e shefit të Krimeve në Shkodër është sulmi i gjashtë ndaj uniformave të policisë së Shkodrës përgjatë një viti.
Asnjë nga këto raste nuk është zbardhur dhe autorët nuk janë kapur. Sulmi i sotëm ndaj Pëllumb Shpatit vjen në ditën e 110-vjetorit të Policisë së Shtetit.
Në fund të viti 2022, një shpërthim me tritol ndodhi në shtëpinë e një efektivi policie, i identifikuar si Valter Serra. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina. Nga shpërthimi, u dëmtua automjeti i tij tip “Volksëagen” dhe një pjesë e banesës. Në muaj qershor, u vendos tritol në shtëpinë e oficerit të Policisë Gjyqësore të Shkodrës, Pëllumb Vukajt. Edhe në këtë rast, u dëmtua mjeti i tij tip “Benz”, i parkuar para shtëpisë. Vukaj deklaroi se ngjarja kishte lidhje me detyrën e tij.
Ndërkohë ka folur për mediat babai i shefit të Krimeve në Policinë e Shkodrës. Gjergj Shpati ka rrëfyer ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër, ku iu vendos eksploziv banesës së shefit të krimeve Pëllumb Shpati.
“Ka ndodhur në orën 4 të mëngjesit. Ishim gjithë në gjumë. Ishte shpërthim i fuqishëm. Mendoj se ka ardhur për shkak të detyrës së djalit. Probleme me kënd nuk kemi patur. I kërkoj shtetit që të bëjë detyren dhe ta zbardhë. Kemi qenë 17 vete brenda shtëpisë, 3 familje nga kati i parë në të tretin”, deklaroi Gjergj Shpati, babai i shefit të Krimeve Shkodër.