Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi ka publikuar një tjetër denoncim në lidhje me trafikun dhe mungesën e parkingut në kryeqytet.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thotë se 200 punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë humbasin ditën e punës, pasi po zerohen mundësitë për të parkuar në institucione publike dhe zonat përreth.
‘Niveli i stresit nga trafiku dhe pamundësia për të gjetur një vend parkimi ka gjeneruar kacafytje në rrugë, sherre dhe konflikte banale, që në jo pak raste përfundojnë në përdorimin e armëve. Tirana është një xhungël që s’merr vesh të pari të dytin’, shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë
200 punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë humbasin ditën e punës.
Ekipet tona në terren na njoftojnë se po zerohen mundësitë për të parkuar në institucione publike dhe zonat përreth. Nga administrata e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vetëm sot në fillim javë, kanë humbur ditën e punës 200 punonjës.
Parkimi në Tiranë është në kolaps total. Hapësirat e mbetura zaptohen çdo ditë nga ndërtimet dhe shtesat e kafeneve. Niveli i stresit nga trafiku dhe pamundësia për të gjetur një vend parkimi ka gjeneruar kacafytje në rrugë, sherre dhe konflikte banale, që në jo pak raste përfundojnë në përdorimin e armëve.
Tirana është një xhungël që s’merr vesh të pari të dytin. Ndërhyrja duhet të jetë urgjente. Nuk ka më kohë për të humbur. 1 milion banorë nuk mund të presin pafundësisht. #TiranaNukPretMë