Bazuar në informacionin e marrë nga IGJEO dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, duke filluar prej orëve të pasdites të datës 17 janar 2023 pritet të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri të vendit.
Reshjet intensive pritet të shtrihen në të gjithë territorin, duke nisur nga pasditja e së martës.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Këto fenomene pritet të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.
Ndaj, bazuar në këto parashikimi, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes kërkon nga autoritetet vendore rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim: hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.
Agjencia e Mbrojtjes Civile do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me prefektura dhe bashkitë, sipas përcaktimit të shkallës së rrezikut, të cilat duhet të informojnë në kohë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile për çdo situatë të krijuar