Banorët e Laprakës protestuan këtë të shtunë kundër shembjes së banesave të tyre, në kuadër të Projektit të Unazës së Madhe. Disa prej tyre, bashkia u ka dhënë urdhër të lirojnë shtëpitë brenda 3 ditëve. Ndërkohë marrëveshja që Bashkia e Tiranës u ka ofruar për strehimin, cilësohet si qesharake nga banorët, pasi bonusi i qirasë është i papërfillshëm në krahasim me çmimet e tregut.
Banorët shprehen se nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive, dhe daljen në rrugë të madhe, duke kujtuar si precedent, ‘5 Majin’, Kombinatin dhe ‘Pallatin 4’ në kryeqytet.
Ata thanë se do të mbrojnë me çdo kusht banesat e do të përballen me Erion Veliajn.
Avokati i banorëve, Arben Llangozi u shpreh se ndërhyrja e bashkisë është antiligjore, ndërsa theksoi se do ta ndjekin çështjen në rrugët e drejtësisë.
Banorët e Laprakës kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut, jo tallje e lëmoshë nga qeveria.
“Ne kemi një shtëpi, jo si ju disa vila. Nuk jam as trim as garip, po mbroj shtëpinë time. Jam dakord me projektet, por bëj marrëveshjet siç duhet. Marrëveshja është një copë paçavure, se me 2 vite bonus qiraje nuk ke një shtëpi se ku do e marr, se sa m2 do marr, hajde ulu me banorët, jepu zgjidhje, sa m2 kam shtëpi, aq më jep dhe më thuaj kur do e marr. Mos sillni shkresa se ne për 3 ditë nuk kemi se ku shkojmë. I them hajde do ta paguaj unë shtëpinë nëse ma gjen një shtëpi me 3 dhoma, me 250 mijë lekë, unë nuk e dua të mi japësh ato. Nëse më gjen një shtëpi me 250 mijë lekë unë nuk i dua ato lekë. 30 vite kam që jetoj këtu, je duke më çuar 30 vite mbrapsht, jam një taksapagues i rregullt, në e paguajmë taksën e shtëpisë. Ne jemi duke mbrojtur shtëpitë tona”, tha një banor.