Në vitin 1990, misioni ynë ishte të përmbysim monizmin e Ramiz Alisë dhe bllokmenëve hoxhistë. U përballëm me çdo lloj terrori por nuk u mposhtëm. Forca e idealeve tona e përmbysi atë regjim.
Sot pas 32 vitesh jemi përsëri në një monizëm, që bazohet te krimi, droga dhe korrupsioni shqiptar dhe ndërkombëtar.
Edi Rama, armik i lirisë së shqiptarëve, ia ka dalë që me taksat tuaja, me paratë tuaja, të rekrutojë, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe SHBA, njërin nga personat më të rëndësishëm në fushën e sigurisë së asaj toke.
Por ky është akt, të cilin duhet ta ndëshkojmë dhe do e ndëshkojnë shqiptarët.
Shqiptarët nuk mund të pranojnë një kryeministër që angazhohet në korrupsionin botëror kundër opozitës shqiptare.
Ndaj dhe sot, çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare e Matit, Klosit dhe gjithë Shqipërisë janë në një mision historik: përmbysjen e këtij monizmi të urryer. Përmbysjen e këtij monizmi armik të lirisë dhe shqiptarëve, përmbysjen e një njeriu që në shtatë vite përzuri 31 përqind të popullatës, çka nuk ka ndodhur në asnjë luftë, në asnjë vend përveçse në Shqipëri.