Deputetët socialistë që kanë kërkuar përjashtimin nga Kuvendi për dhjetë të ditë, të tetë kolegëve të tyre demokratë nuk janë paraqitur sot në Komisionin e Etikës, duke e lënë vetëm kryetaren socialiste të komisionit, Klotida Bushkën, të dëgjojë argumentet dhe të përplaset me deputetët e përjashtuar.
Nga ana tjetër, Bushka nuk pranon që dëgjesa me deputetët e PD-së të transmetohet Live, ku të shpjegohet pse ata protestuan në foltoren e Kuvendit në seancën e fundit, pse kërkuan të mësonin kush e kishte manipuluar procesverbalin e seancës, pse kërkuan mocion me debat për kryeministrin për çështjen McGonigal.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Luçiano Boçi, duke iu drejtuar kryetares Bushka, në një transmetim live me celular në Facebook, tha:
“Një grup deputetësh kanë frikë të vijnë para nesh për të bërë akuzat e tyre dhe ju keni frikë t’i paraqisni këtu se janë qesharake, e dini shumë mirë se çfarë opinioni ekziston sot në publik.
Ju doni të na mbyllni gojën ne e për çfarë? Dhe pse e nuk e transmetoni edhe njëherë tjetër? Edhe kaq gjëra të vogla që ne i konsiderojmë pjesë të luftës politike dhe të urdhrave politikë që merrni ju, ju keni frikë t’i transmetoni?! Çfarë do të themi ne?! Ne do të themi pikërisht këto që po përcaktojmë dhe që duhet të bëjë një deputete dhe një drejtuese: duhet të respektojë rregulloren, ligjet që janë miratuar; ta respektojë vetë parlamentin, kryetarja e Kuvendit që e ka shkelur me të dyja këmbët, që nuk ka asnjë arsye për të shkruara to që ka shkruar, për t’u sjellë në seancë ashtu sepse kërkesa jonë në seancë ka qenë e saktë dhe e qartë: Ne kemi qëndruar në foltore me të drejtën tonë për të kërkuar fjalën për procesverbalin dhe për procedurë, nuk na pengon njeri, e njeh rregullorja shumë saktë”.