Në bashkëbisedim me banorët e fshatit Zallherr të Tiranës, kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u shpreh se në 14 Maj fitorja e demokratëve është e sigurtë. “Qytetarët po numërojnë ditët dhe kanë mllef” u shpreh Këlliçi, që prej 1 muaji e gjysëm është në takime të përditshme me banorët e Tiranës si pjesë e turit “Jam këtu t’ju dëgjoj”.
“Njerëzit po numërojnë ditët. Po numërojnë ditët. Është larg 14 Maji. Njerëzve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, unë kam 1 muaj e gjysëm që jam 8 orë në ditë në ecje në qytet, në lagje, kudo. Njerëzit po shpërthejnë. Gjysmat e materialeve filmike nuk i nxjerr dot prej mllefit, dufit dhe sharjeve që njerëzit kanë për Erjon Velinë. Se i ka vjedh, i ka varfëru dhe i ka poshtëru. Dhe atë që i ka bërë është dëmi më i madh për brezin e ri”, u shpreh Këlliçi.
Gjatë bashkëbisedimit me kandidatin e Partisë Demokratike për Tiranën, banorët e Zallherrit ngritën shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm dhe të rrugëve, një fakt që dëshmon se rrethinat e kryeqytetit janë lënë në harresë nga bashkia.
“Ujë të pijshëm, normalisht aty e kemi problemin, ujin për vaditje ne as nuk e diskutojmë fare”, tha një nga banorët e zonës në takim.
“Këto kanë shtruar rrugët deri te shtëpiat e tërmetit”, rrëfeu një tjetër.
“Ne kemi ndejt 1 muaj e gjysëm pa ujë të pijshëm dhe paguajmë lekë, pa ujë të pijshëm e dinë të gjithë”, u ankua një tjetër i pranishëm në takim.