Nga Erion DASHO
Në kulmin e pandemisë, diku nga janari i vitit 2021, Borati do të deklaronte ndërtimin e Spitalit të Fierit si dhuratë të qeverisë turke.
Rëndësia e këtij spitali ishte e disafishtë, ku unë personalisht kam veçuar dy aspekte. Së pari, ishte hera e parë që ndërtohej një spital i ri publik që prej kohës së komunizmit. Së dyti, ky ndërtim dhe vendndodhja e spitalit përputhet me një koncept të hershëm timin dhe të shumë ekspertëve të tjerë, atë të spitaleve suprarajonalë të cilët ndonëse mund të mos kenë një status kombëtar, u shërbejnë disa rajoneve ose qarqeve fqinjë.
Por, fatkeqësisht, spitali “duhej” ndërtuar për tre muaj që Borati të kishte ç’të tregonte për zgjedhjet e prillit 2021. Në kushte normale, tre muaj nuk janë të mjaftueshëm as për të planifikuar një spital, ndërkohë që ndërtimi merr të paktën 3-4 vjet.
Kuptohet se rezultati përfundimtar i këtij projekti ishte shpërdorimi i ndihmës bujare të shtetit turk dhe ndërtimi i një strukture që duhej të ishte shumë më tepër funksionale, moderne dhe e dobishme.
***
Spitali i Fierit m’u kujtua kur lexoja agjendën e të quajturit “Kongres të Shëndetësisë” që pritet të zhvillohet këto ditë në Pallatin e Kongreseve.
Në këtë event janë përzgjedhur tematika me shumë vlerë, janë ftuar disa prej ekspertëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë të fushave përkatëse dhe u është lënë hapësira e duhur edhe atyre pak ekspertëve të aftë që kanë ngelur në sistemin shëndetësor shëndetësor shqiptar.
Por as Kongresi i Shëndetësisë nuk mund t’i shpëtonte një numri gafash të rënda të cilat me pak kujdes mund dhe duhej të ishin shmangur.
Së pari, posteri i kongresit përmend vetëm Ministrinë e Shëndetësisë si organizator të kongresit. Kjo mund të ndodhë në një kongres politik (ku më të njohurit për shqiptarët janë ata të forcës politike mëmë të rilindjes), por aspak në një kongres teknik dhe shkencor.
Me dy mjekë që i kanë ngelur në organikë, Ministria e Shëndetësisë nuk organizon dot as një mbledhje me infermierët e fshatrave dhe jo më një kongres të këtyre përmasave. Sigurisht, ka patur disa organizata, shoqata, institute, kompani, etj. që kanë marrë pjesë në organizimin e kongresit dhe që duhej të ishin përmendur në posterin lajmërues.
Së dyti, duke dashur të merret me gjithçka (e pasqyruar kjo edhe në emërtimin e eventit “Kongresi i Shëndetësisë”), kongresi humbet fokusin dhe nuk trajton tamam asnjë prej temave të rëndësishme që shqetësojnë sot shëndetësinë dhe shoqërinë shqiptare.
Duke folur çerekë dhe gjysma dite për tema kardinale si mbulimi shëndetësor universal, për të kaluar tek tranzicioni demografik, mungesa e burimeve njerëzore, kujdesi parësor, digjitalizimi, inovacioni, farmaceutika, etj., nuk ceket siç duhet asnjë prej këtyre temave, nuk trajtohet dot në mënyrë shjelluese asnjëra prej tyre dhe nuk nxirren dot përfundime dhe rekomandime me vlerë.
Këtu rilindësit mund të kishin mësuar prej baballarëve shpirtërorë të cilët u vinin nga një emër dhe tematikë kongreseve të dikurshëm famëkeq: një prej tyre quhej kongresi i industrializimit, tjetri i bujqësisë, e kështu me radhë deri tek kongresi i vazhdimësisë, i cili ironikisht qëlloi edhe i fundit.
Së treti, nëse një prej të ftuarve nuk do të më kishte nisur programin dhe agjendën e kongresit, nuk do të kisha shans të mësoja detajet e organizimit të tij. Kjo sepse njoftimi për mbajtjen e kongresit qëndron “i fshehur” mes lajmeve të tjerë në faqen web të Ministrisë pa një ikonë të veçantë ku mund të qaset lehtësisht agjenda dhe tematikat.
Normalisht, për evente të këtyre përmasave ndërtohet një faqe web e posaçme ku jepet information i plotë mbi tematikat, organizimin, folësit, etj. Në këtë faqe pas përfundimit të kongresit publikohen prezantimet dhe dokumentet e tjerë të rëndësishëm, me qëllim që impakti dhe dobishmëria e eventit të jetë e plotë.
***
Me siguri dikush në radhët e larta të rilindjes as që e kupton rëndësinë e kongresit dhe impaktin që ai mund të kishte patur në shëndetësinë shqiptare sot dhe në vitet në vijim.
Për ta është thjesht mundësia e propagandës së radhës, ku ndoshta vetë do të flasin për “sukseset” dhe “arritjet”, pa u thelluar tek mungesat, sfidat dhe hallet.
Personalisht uroj që ata dhjetëra folës të spikatur ndërkombëtarë dhe kolegë shqiptarë të kenë mundësinë që duke ndërvepruar këto dy ditë të vendosin piketat dhe përcaktojnë objektivat zhvillimorë të sistemit shëndetësor shqiptar.
Se sa të aftë do të jenë rilindasit jo më për t’i zbatuar, por edhe thjesht për t’i kuptuar ato, kjo është tjetër histori.
Por, kolegëve me shumë dashamirësi u uroj një kongres të mbarë!