KQZ si makinë kohe dhe realiteti virtual

Nga Oerd BYLYKBASHI

Në vitin 2001, si në këtë kohë të vitit, Partia Socialiste hodhi në veprim skemën e kandidatëve të pavarur falso për zgjedhjet e 24 qershorit 2001.

Çfarë do të thotë? Në KQZ u regjistruan si kandidatë “të pavarur” ministra, zëvendësministra e zyrtarë të lartë të PS. Qëllimi ishte që PS të anashkalonte me mashtrim, sistemin zgjedhor dhe të përfitonte matematikisht më shumë mandate sesa i takonin me Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor.

PS iu drejtua një ambasadori, i cili u shpreh: “Nëse nuk e ndalon ligji, është e ligjshme”.

Pas kësaj drite jeshile, PS i kërkoi KQZ-së me 7 anëtarë të dominuar 5 me 2 nga PS dhe ku nuk kishte asnjë përfaqësues të PD, të regjistronte 19 zyrtarë të lartë të PS si “të pavarur” falso.

KQZ e drejtuar asokohe nga Celibashi, nën trysni, miratoi një akt që lejonte një parti të regjistronte “deri në 20 kandidatë të pavarur”.

Një absurditet! Për më tepër ishte një akt pa asnjë bazë ligjore, por që kishte efekt shkatërrues mbi zgjedhjet. Opozita kërcënoi asokohe me bojkot.

Në Tiranë erdhi kreu i ODIHR, ambasador Gerard Stoudman, i cili, në prani të ambasadorit që kishte dhënë dritën jeshile, bëri deklaratën epike: “Kandidatët e pavarur janë si gratë. Gratë ose janë realisht shtatzëna, ose nuk janë. Edhe kandidatët e pavarur, ose janë vërtet të tillë ose nuk janë!”

Mes te qeshurave në oborrin e OSBE ku bëhej konferenca, binte në sy kokulur e i nxirë në fytyrë, ambasadori. Shprehja e famshme e Stoudman “i vrau” kandidatët e pavarur.

KQZ vrapoi të anulonte aktin e parë dhe të hapte sytë e të shihte realitetin politik.  Nxori një akt të ri që edhe pse kandidatët në fletën e votimit do të shfaqeshin “të pavarur”, do t’ua llogariste partive përkatëse, nisur nga realiteti.

Sërish udhëzimi ishte pa asnjë bazë ligjore, por njohu realitetin dhe eleminoi atë krizë të bazuar në falsitet juridik që synonte t’i jepte pa të drejtë PS-së, mandate shtesë në kurriz të opozitës.

Ja ku jemi sërish 22 vite më pas, në një histori me fantazma juridike, presion pushteti, ambasada, padrejtësi mbi opozitën, ku falsiteti sërish pranohet nga KQZ në injorim të realitetit politik e juridik, në dëm të opozitës.

About Redaksia

Check Also

Shkumëzimi dhe konvulsionet e një “zdromsi”!

Nga Iva V.GRILLO Gjuha vulgare dhe brendia edhe më vulgare e komunikimit të kryetarit të …

Leave a Reply