Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke folur nga Pogradeci, ku prezantoi kandidatin për bashkinë, Zihni TOllozhina, ka hedhur akuza të tjera ndaj ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Berisha tha se, ‘në qoftë se ka njeri në historinë e këtij vendi që ka ulur reputacionin e Amerikës është guvernatorja, Yuri Kim’.
“Loja që bëhet për të lënë Shqipërinë opozitë, tejkalon absolutisht dramat makbethiane. Tejkalon fantazinë e Garcia Marquesit. Një vend që vuajti më shumë se çdo vend tjetër nga monizmi. S’ka vuajtur kush në Europë sa ne, dhe ne jemi dëshmitarë të asaj vuajtje.
Pas 32 vitesh pluralizëm bëhet një përpjekje për të asgjësuar opozitën e këtij vendi. De Facto bëhet përpjekje për të konsoliduar dhe çelikosur regjimin me mafioz, më të korruptuar, më të inkriminuar të Europës.
Edi Rama në këtë përpjekje, si një njeri që nuk njeh asnjë parim, asnjë normë, asnjë moral rekruton vrasës me pagesë, kryezbuluesin e SHBA, një tradhtar dhe armik të kombit të tij. Të Kushtetutës, presidentit, të ligjeve të vendit të vet. Ai e bën atë vetëm e vetëm për para, licenca, naftë, për një pasurim tjetër të mëtejshëm të tijin.
Duke kontraktuar McGonigalin, Edi Rama arriti të fusë në thes ish-kreun e PD, të cilit i hapi dosje për larje parash. E vërteta është, ua them unë këtu. Kontrolli ka mbaruar. Nga 725 mijë dollarë që kanë shkuar në SHBA, nga llogaritë e PD nuk ka dalë asnjë qindarkë, përveçse 25 mijë, të tjerat i di ish-kryetari, dhe Edi Rama, sigurisht.
Turp të ketë! Shumë turp!
Operacioni McGonigal, kishte këtë anë, por edhe anën tjetër. Sanksionet ndaj Sali Berishës, duke besuar se në këtë mënyrë opozita shqiptare do të shndërrohej në një fasadë të plotë të Edi Ramës.
Gjithçka bëhej për të forcuar monizmin dhe pushtetin e Edi Ramës. Reagimi im është i njohur tashmë, por do të rrëfej këtu se jo McGonigal, por McGonigal me fustan që tani hesht si fija e barit, që nuk thitë një fjalë prej dy muajsh për një nga aferat më të tmerrshme. Për një nga superskandalet më të mëdha në histori që ka kryer Edi Rama me ish-kryezbuluesin e SHBA-ve.
Hesht, sepse ka qenë vet e zhytur në skenarin kundër opozitës. Ka qenë vetë e angazhuar me të gjithë potencialin në shkatërrimin e opozitës, dhe për këtë kemi dokumente me shkrim, dokumenta zyrtare.
Këto projekto dështuan, sepse ju ishit besnikë të idealeve tuaja, sepse ju vendin tuaj pa opozitë të vërtetë nuk mund ta imagjinoni. Dështuan sepse ju besoni dhe jemi opozita me pro-perëndimore dhe pro-amerikane.
Por, prapë dhe Zoti dhe e vërteta janë dy vlerat më supreme që ne vëmë para të gjitha të tjerave.
Në këtë mënyrë u ngritëm, dhe kjo i ka tmerruar. Ka tmerruar Edi Ramën. Ka tmerruar ekipin McGonigal. Ka tmerruar ata të cilët, si shushunja janë pasuruar me djersën, mundin dhe paratë tuaja.
Ne nuk jemi dhe nuk bëhemi kurrë anti-amerikanë. Po ne nuk pranojmë kurrë korrupsionin ndaqo që të na vijë ai.
Asnjë vend, askurrkush nuk e kanë ndihmuar Shqipërinë, luftën kundër korrupsionit, sa SHBA-të.
Do t’ju tregoj vetëm një moment. Me ndihmën e tyre ne vendosëm prokurimet digjitale, domethënë gara elektronike. Vendosja e atij sistemi çfarë solli? Solli shumëfishimin e pjesëmarrjes. 7 herë më e madhe u bë. Nga 8 mijë pjesëmarrës në një vit, arritën në 56 mijë. Dhe fondi, paratë tuaja që përdorëm gjatë një viti për prokurim u ul me 25 % nga gara e hapur. 25% para më shumë për të rritur rrogat, për të investuar, për qëllime të tjera.
Ka sjellë Belinda Balluku dy gjeneratorë monstra të cilat kanë shkuar në fund në Bangladesh, i ka sjellë në Vlorë. Kosto e prodhimit të energjisë me ata është të paktën 2-3 fish më e lartë sesa në bursë. Prodhimi i energjisë në Shqipëri është rreth 9 terravatë. 2 terravatë apo 2 miliardë kë/orë më shumë se nevoja e përgjithshme e Shqipërisë.
Çfarë bëjnë? Çdo ditë nga taksat tuaja u paguan dy tigrave se i ka quajtur Tigri 1 dhe Tigri 2, tigrave të Belindës nga 90 mijë dollarë.
Dhe atje për të inauguruar, për t’u bërë mburojë, shkon dhe zonja Yuri Kim. Na thuaj zonjë tani, po këto në fund të dy viteve janë fiks 64 milionë dollarë.
Unë iu bëj thirrje asaj në emrin tuaj. Shko e thuaji të largohet, nqs nuk je e lidhur dhe ti me ta.
Se çfarë ndodh, kanë punuar me dhjetëra ambasadorë. Kurrë nuk ka ardhur në zyrën time një ambasador për të mbështetur një kompani pa garë. Asnjëherë! As gjerman, as italian, as amerikan, as francez, e as të ndonjë kombi tjetër.
Jo. Po gara është ligji i vendeve të lira, gara është transparenca.
Edi Rama ka përdoru korrupsionin, jo vetëm nëpërmjet McGonigal, por edhe për diplomatë të këaj natyre. Edhe për parlamentarë, zyrtarë, duke blerë deklarata poshtë e përpjetë dhe thotë se Amerika nuk mund të korruptohet. Amerika nuk korruptohet por McGonigalët korruptohen.
Amerika nuk korruptohet, por ata të cilët shkojnë e hyjnë në procese gjyqësore, u diktojnë gjykatësve vendimin, ata janë krye-korruptorë. Ata përfaqësojnë korrupsionin botëror, nuk përfaqësojnë vendin e tyre, nuk përfaqësojnë Kushtetutën, lirinë dhe pavarësinë e organeve gjyqësore.
Dhe pastaj e mbulon çdo gjë, se ky po mbjell. Në qoftë se ka njeri në historinë e këtij vendi që ka ulur reputacionin e vendit të tij është guvernatorja, Yuri Kim. Ajo me Edi Ramën, duke përdorur Bravën dhe Alibashën të lënë opozitën jashtë zgjedhjeve.
Ne jemi të betuar. Do hyjmë në zgjedhje. Do fitojmë në zgjedhje. Do vazhdojmë betejën gjer në përmbysjen e këtij regjimi”, u shpreh Berisha.