Kryetari i PD, Sali Berisha tha nga Mirdita se, arrestuan lehonën me fëmijë 8 ditëshe, kjo është qeveria e Edi Ramës dhe zonjave që qëndrojnë pas tij. Berisha se, nuk ka kryeministër më ç’njerëzor, më cinik se atë që nuk ka qëllim kryesor rritjen e rrogave, pensioneve të qytetarëve të tij.
“Miqtë e mi!
Unë dhe gjithë shqiptarët e njohin mençurinë tuaj. Ju e keni shumë të qartë se këto zgjedhje vërtetë nga njëra anë janë për të zgjedhur qeveritarët vendorë, por në realitet nëse e matim votën tonë me 14 maj në raport me situatën dramatike të Shqipërisë, këto zgjedhje për nga rëndësia janë absolutisht më të rëndësishmet që nga viti 1992 e gjer sot.
Sot ne jemi një komb në rrokullisje, në një rrokullisje të cilën nuk na e kanë dhënë dot, nuk na e kanë shkaktuar dot as pushtuesit më të egër, as pushtimet e gjata. Jo ne kemi qëndruar.
Ndërsa sot ndodh një dukuri, nuk po them shfarosje, por shpopullim i frikshëm dhe i tmerrshëm. Nga viti 2014 deri në vitin 2022, në 8 vite janë larguar për në BE, 937 mijë shqiptarë. Këtë vit Mirdita ka patur gjithsej 100 nxënës në klasat e para. Këtë vit janë mbyllur qindra klasa dhe shumë shkolla në të katër anët e vendit.
Nga ajo shifër që përmenda mësipër 80% janë poshtë 30 vjeç. Nuk ka luftë, fatkeqësi natyrore të ketë pakësuar një komb në një kohë kaq të shkurtar aq sa na pakësoi ne regjimi i Ramës. Ky ushtron gjenocid, sipas konventës së OKB: krijimi i kushteve të kalkulueshme që të tjetër të largohen nga vendi i tyre është akt gjenocidi.
A nuk e filloi ky duke arrestuar 38 mijë shqiptarë për faturat e energjisë dhe ujit, që nuk ndodh askund në botë se janë çështje civile. A nuk arrestoi ky 3 ditë më parë lehohën me fëmijë 8 ditësh, a nuk u vra zonja 60-vjeçare që mbante mbesën duke bërë dy punë në ditë në banak, se Edi Rama çirret dhe bërtet; të hanë kokën e njëri-tjetrit, sikur nuk ka shtet. Të hanë kokën e njëri-tjetrit thotë ai, i cili ua dorëzon rendin, sigurinë e qytetarëve, vrasësve dhe bandave. Të hanë kokën e njëri-tjetrit thotë ai, i cili u jep licencë për vrasje, në një kohë kur ne skemi dënim me vdekje, në një kohë kur ne paguajmë 15 mijë rrogëtar me uniformë, të cilët më shumë asistojnë krimin se mbrojnë jetën e qytetarëve.
Të gjitha këto janë bërë kushte që i largojnë shqiptarët nga Shqipëria. Pasiguri e madhe, por mbi të gjitha ajo që lemerit shqiptarët sot në shumicën e tyre është varfëria, pasiguria, pamudësia për të përcaktuar të nesërmen e tyre. Sigurisht të mbash një popull, një shoqëri 8 vite pa rritë rrogat nuk ka cinizëm më ekstrem, pashpirtësi më të madhe, pandjeshmëri më të madhe ndaj tyre. Sepse është alfa e çdo gjëje.
Çmimet rriten çdo vite dhe ky është ligji i tyre, ligji natyral, për rrjedhojë rrogat duhet të rriten çdo vit. Një nga arritjet më historike tonat ishte në vitin 2008. Ne deri në vitin 2008 kishim ardhur si më të varfrit në Ballkan, më të keqpaguarit në Europë, por e nisëm si një 3 kombet më të keqpaguara në botë. Dhe dolëm në krye të vendeve të rajonit për paga. Ishte arritje e madhe. Nuk ishim të pasur, ato rroga nuk na bënë më të pasur, por kishin një gjë, kishin brenda një mesazh se nesër do të jemi më mirë, se nesër do të rriten sërish, se rritja do të vazhdojë.
Nuk ka kryeministër më ç’njerëzor, më cinik se atë që nuk ka qëllim kryesor rritjen e rrogave, pensioneve të qytetarëve të tij. Çfarë ndodh? Në 2013 prap nuk ishim të mëkëmbur, por ishte varfëri në pakësim, në zvogëlim. Kurse sot ku jemi ne, sot kemi rrogat më të ulëta në Ballkan. Sot Kosova që ka gjithsej 15 vite shtet i pavarur, ka rrogat 30-50 % më të larta se ne.
Sot të gjitha vendet e Ballkanit kanë rroga më të larta se ne. Po pse kjo. Absolutisht vetëm e vetëm se Edi Rama i urren qytetarët, qeveria e tij i urren qytetarët. Do më falni këtu. Po të shikoni atë qeveria, aty pas qëndrojnë 10-12 zonja, në pamje të parë shumë mirë. Por a foli ndonjëra prej tyre për Dianën që e futi në burg lehonë, a e dëgjuat të thojë ndonjëra prej tyre një fjalë. Por çfarë janë këto? A janë nëna këto, a janë motra këto. I transformon vjedhja, vjedhja i bën ato që të mos ndjenjë asgjë për askënd, veç për xhepat, kontot e tyre.
Unë dhashë një shembull dhe unë mund të jap me dhjetëra shembuj. Është kryetare parlamenti tjetra. Po kryetare parlamenti që pranon të burgoset për 250 mijë lekë lehona, por ajo duhej ti çonte nga rroga e saj 20 herë ato lekë e jo të pranonte një akt të tillë”, u shpreh Berisha.
