Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me ‘Akademinë e lidershipit për vajzat’, të organizuar nga Forumi Rinor i PD, u ka bërë thirrje këtyre të fundit që të marrin në dorë flamurin e fushatës elektorale.
‘Kudo ku unë kam qenë kam bërë thirrje dhe unë u bëj thirrje. Ta merrni edhe këto dy javë në dorë flamurin e fushatës. Ju, motrat tuaja, nënat tuaja, shoqet tuaja keni sot në dorë të jepni një kontribut ndofta edhe më të madhin e jetës tuaj, dhe në radhë të parë për veten tuaj.
Sepse në qoftëse flasim për një rrezik për një kërcënim, sot më e rrezikuara, më e kërcënuara është vajza, nëna, gruaja, motra. Ato janë më të kërcënuarat’, tha kryetrari i PD-së, Sali Berisha gjatë takimit.
Në fjalën e tij gjatë këtij takimi, kryetari i PD-së, sulmoi edhe kandidatin e Ramës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha tha se, ‘Veliaj është sot simbol i tre veseve kryesore.
I falsit. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa të jesh i ri dhe fals. Ai në fakt i ri nuk është, ai ka djegur rininë e tij me falsitet se tani është moshë tjetër.
I gënjeshtrës, ku një njeri që nis një fjali dhe në qoftëse në dy fjalët e para ka një të vërtetë, do ti mbulojë me një gënjeshtër në dy fjalët e dyta.
Dhe e treta, i vjedhjes dhe korrupsionit’.
FJALA E PLOTË
Së pari, dëshiroj të ju përshëndes përzemërsisht, ata që kanë forumin për këtë organizim shumë të veçantë.
Organizimi i këtij takimi me zonjushat, vajzat e reja, ka një simbolikë të madhe, cila është kjo? Sot më të famshmet në botë nga ky komb, janë vajzat shqiptare.
Jo vetëm sot, por ky komb, kombi ynë, një bijë e këtij kombi ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit. Të marrë titullin më fisnik të kësaj toke që është titulli nënë, duke mos patur kurrë fëmijë, ose duke mos pas qenë ndonjëherë nënë, dhe kjo ishte Nënë Tereza.
Sot magjia e zërit të vajzave shqiptare është e jashtëzakonshme, është botërore, planetare, dhe kjo dëshmi e një ADN-je shumë të fuqishme. Nuk është vetëm këmba dhe muzika, por sporti. Rekordet e Majlinda Kelmendit dhe të disa sportisteve të tjera, janë botërore, janë të jashtëzakonshme.
Por në qoftëse Nënë Tereza ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit, sot një vajzë shqiptare, po pushton mendjen e mbarë njerëzimit me ChatGPT, kjo është Mira Murati. Mira Murati me kontributin e saj në OpenAI, e vërteta është se me një shpejtësi më të rrufeshme se çdo invencion tjetër po transformon shoqërinë dhe botën. Ajo solli inteligjencën artificiale në duart e çdo njeriu.
Sot kjo ka një diskutim jo të vogël, të hapur, të madh, për ndikimet e ChatGPT, robotit që komunikon me gjunën natyrale, por sidoqoftë diskutimet janë të përkohshme. Asgjë pas universalizimit të saj, nuk do të jetë më siç ka qenë.
Edhe kjo një atribut i një vajze shqiptare.
Tani unë do të kthehem në dy momente të jetës time, shumë vite para, do të kthehem në fëmijinën time më të hershme. Të gjithë në përgjithësi konsiderojnë fat, familjen, rritjen në familje, unë e konsideroj një fat shumë të madh, sepse kam lindur dhe jam rritur në një familje strikt patriarkale në kodin e saj, me një përjashtim të çuditshëm, paradoksal për kohën.
Në atë familje, mbretëreshë, apo princeshë të themi, ne ishim tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër, por familja dhe çdo gjë sillej rreth motrës, kjo ishte vërteta dhe në mënyrë të çuditshme, nëna ime me një vendosmëri absolute do ta vendoste atë në epiqendër, kurse vëllai im që ishte më i madh, e unë më i vogël se ajo, do të ishim përreth saj.
E kam menduar shumë herë dhe e kam konsideruar gjithnjë, si një nga trashëgimnitë më të çmuara që unë kam pasur nga fëmijëria ime. Ndaj në rast se do të kërkonte një njeri këshillë nga unë, e vetmja këshillë që mund ti jipja në çdo familje, e para është vajza, sepse kjo, ka një ndikim jashtëzakonisht të dobishëm tek e gjithë familja dhe tek djemtë, apo djali i asaj familje.
E kam treguar edhe një herë tjetër. Shumë më vonë lexoj për Frojdin. Frojdi kishte një motër, Anën. Frojdi i përkiste një familje intelektuale në Vienë dhe Anës prindërit i blenë në piano. Por meqenëse Frojdi nuk donte të dëgjonte piano, pianoja iku nga shtëpia, sepse prindërit i dhanë përparësi Zigmudit. Nëse do të kishte ndodhur kjo në familjen time, unë do të isha i detyruar që me orë të dëgjoja koncertet e motrës time. Nuk mund të imagjinohej që pianoja të dilte jashtë.
Ua tregova këtë histori, se qëndrimet diferencuese të gabuara ndaj vajzave dhe djemve, shtrihen në shtresa të ndryshme, ndoshta nganjëherë pavarësisht nga niveli arsimor.
E dyta që desha të them nga eksperienca ime.
Pedagog. Konstatoja se në 7 studentë të shkëlqyer, 6 ishin vajza. Mos e dhe më shumë. Konstatoja se në 7-8 diploma që drejtoja, 80-90 % e më të mirave ishin të vajzave. E prap në atë kohë, në vitet ’70, përsëri ndjehej muri i patriarkisë. Në psikologjinë e përgjithshme ndjehej se ekzistonte një diferencë mes djemve dhe vajzave.
Por ka rreth 15 viteve të fundit, që testi i intelektit, del qartësisht epror tek vajzat. Ky test përsëritet çdo 5 vite, e të paktën 3 herë me radhë dhe tani nuk e komenton kush, se intelekti është më i madh tek vajzat se sa tek djemtë.
E mbyll këtë duke thënë se në rast se rinia është e ardhmja e një shoqërie dhe një kombi, vajzat janë kurora e kësaj të ardhme.
Ndaj dhe përbën një rëndësi të jashtëzakonshme që përkushtimi i tyre për vendin, Shqipërinë të vlerësohet në shkallë maksimale. Në mendjen e tyre, por edhe në inteligjencën e tyre emocionale e cila konvertohet në imagjinatë, intuitë dhe shumë gjëra të tjera të dobishme, qëndrojnë potenciale të mëdha, si për individin ashtu dhe për familjen dhe shoqërinë.
Sot ne jemi në një fushatë elektorale. Kam shumë kënaqësi që një i ri, deri dje drejtues i forumit që na ka mbledhur sot këtu, garon për kryetar bashkie dhe ju konstatoni, se si Belind Këlliçika arritur të marrë, të dominojë dhe të marrë flamurin e fushatës në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri.
Ju konstatoni se si ky i ri me të rinjtë dhe qytetarët në njërën anë, ka vendosur në pothuajse në errësirë rivalin e tij, i cili siç ka dashtë vetë, është sot simbol i tre veseve kryesore.
I falsit. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa të jesh i ri dhe fals. Ai në fakt i ri nuk është, ai ka djegur rininë e tij me falsitet se tani është moshë tjetër.
I gënjeshtrës, ku një njeri që nis një fjali dhe në qoftëse në dy fjalët e para ka një të vërtetë, do ti mbulojë me një gënjeshtër në dy fjalët e dyta.
Dhe e treta, i vjedhjes dhe korrupsionit. Nuk e ka për asgjë, të dalë para kamerave, para shqiptarëve, kam mbjellë 1 milionë pemë. Pse ka vjedhë, ka vjedhë çmimin e 1 milionë pemëve, nuk e ka për gjë fare.
Ka ndërtuar 40 shkolla dhe numëron shkolla të ndërtuar edhe 60 vite më parë. Tirana ka 17 orë ujë, në një kohë kur Tirana është përkeqësuar furnizimi me ujë nën drejtimin e tij.
Pra u desh të dalë në arenë një i ri me vlera që të ndërgjegjësojë qytetarët e Tiranës për të gjithë, këta i thonë demagogji, por nuk është demagogji, është falsitet fund e krye. Gënjeshtër fund e krye dhe vjedhje fund e krye.
Kudo ku unë kam qenë kam bërë thirrje dhe unë u bëj thirrje. Ta merrni edhe këto dy javë në dorë flamurin e fushatës. Ju, motrat tuaja, nënat tuaja, shoqet tuaja keni sot në dorë të jepni një kontribut ndofta edhe më të madhin e jetës tuaj, dhe në radhë të parë për veten tuaj.
Sepse në qoftëse flasim për një rrezik për një kërcënim, sot më e rrezikuara, më e kërcënuara është vajza, nëna, gruaja, motra. Ato janë më të kërcënuarat.
3 gra të reja vriten në një ditë, 5 vriten në 1 javë. E tërë Europandofta nuk ka 5 gra të vrara në 6 muaj. Po pse ndodh kjo? Ndodh sepse është krijuar një mjedis mizogen dhe këtij mjedisi mizogen i prin Edi Rama. Një kryeministër i cili në të gjitha këto ndodhi, nuk thotë një fjalë, nuk merr një masë, nuk bën asgjë. Sa gra dhe vajza duhet të vriten, a ka rrezik më të madh se kjo. Ai është i përfolur për dhunë familjare, dhunë edhe në qeveri, por unë nuk i di ato.
Por unë di që ai përdor një fjalor publik në të turpshmin në historinë e vendit dhe nuk reagon. Sigurisht nuk është kurrë njëlloj të vritet një vajzë, të vritet një grua, e të vritet një burrë. Nuk është kurrë njëlloj, nuk ka qenë kurrë njëlloj për shqiptarët kjo. As në kod, as në moral as në Kanun, dhe në asgjë.
Takimet e tij, sikur nuk ka ndodhur gjë. Takime e tij fiktive, për të krijuar idenë se ka mbështetje. E ka lënë mbështetja, ndaj dhe ju duhet të jeni promotorë të kësaj fushate, sepse shpëtimi vjen në radhë të parë nga shpëtimi i grave dhe vajzave të vendit.
Unë kam shumë besim që këtë fushatë, kjo fushatë do të ketë fytyrën tuaj, moralin tuaj, vlerat tuaja, do të ketë energjitë tuaja.
Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka për fitoren e Belos dhe të gjithë kandidatëve tanë të lirisë, kudo që janë.
Faleminderit!