Nga Bujar LESKAJ
– Një e katërta e bashkive janë të zhytura në borxhe pa mundësi kthimi dhe ndodhen shumë pranë gjendjes së falimentit
Në afro dhjetë vjet drejtim të shumicës së bashkive të vendit, me 4 vitet e fundit në udhëheqje të 60 nga 61 bashkitë e vendit, sekti Rama në qeverisje, me pangopësinë dhe papërgjegjshmërinë karakteristike të vet, i ka shkaterruar financat vendore.
Sot, mbi 70 përqind e të ardhurave vendore shkon për të mbajtur në punë punonjësit e bashkive dhe për shpenzimet operative. Tre të katërtat e bashkive kanë varësi absolute nga fondet e pushtetit qendror, duke mos përfituar asgjë nga shanset e autonomisë vendore. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka dubluar plotësisht funksionet e investimeve kapitale për bashkitë, duke ofruar projekte dhe dhënë tendera për interesat e oligarkëve të sektit në fuqi(87 përqind e tenderave të FSHZH i marrin kompani nga Tirana), apo në bazë të kapriçove e tekave të momentit të të ashtuquajturit Lider Global(kujtojmë instalacionin prej druri në Kryeministri).
15 nga të 61 bashkitë e vendit janë të zhytura në borxhe të pakthyeshme, ose shumë pranë falimentit. Thënë ndryshe, 25 përqind e pushtetit vendor sot nuk ka para për të shlyer detyrimet e prapambetura, të cilat përbëjnë 60-80 përqind të buxhetit të tyre vjetor.
Në fund të vitit 2022, totali i detyrimeve të pakthyera që bashkitë kanë akumuluar ndaj të tretëve arriti në vlerën 7.9 miliardë lekë ose mbi 72 milionë euro. Ende nuk dihet niveli i detyrimeve të reja të akumuluara në periudhën janar-prill 2023, katërmujor i investimeve të ethshme elektorale, pa siguruar as 20 përqind të fondit bazë për kryerjen e tyre!
Krahas dublimit të padrejtë dhe abuziv të investimeve kapitale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, shumë nga bashkitë janë në vështirësi serioze ekonomike dhe në pamundësi për të kryer investime themelore për qytetarët e tyre. Niveli dhe cilësia e shërbimeve që qytetarët marrin nga bashkitë është në rënie të ndjeshme, ndërkohë që bashkitë rrisin çdo vit stafet e tyre, për të akomoduar patronazhistët dhe “aktivistët” e sektit në qeverisje. Vetëm gjatë vitit 2022, numri i përgjithshëm i punonjësve të 60 bashkive të drejtuara nga socialistët u rrit me 9.3 përqind, në krahasim me vitin 2021, ndërkohë që rritja ekonomike mesatare e tyre nuk ishte më shumë se 2 përqind!
Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bashkitë me borxhin më të madh të grumbulluar janë Kavaja, Vora, Malësia e Madhe, Pogradeci, Durrësi, Lezha, Kamza, Belshi dhe Fieri. Në realitet, janë 22 bashki, ose më shumë e një e treta e bashkive të vendit, me probleme të mëdha financiare të menaxhimit të tyre.
Sekti në qeverisje artikuloi në fillim të vitit 2021 caktimin e një administratori për bashkitë në vështirësi financiare, por deri tani asgjë nuk është bërë. Në të kundërt, qeveria Rama u tall me bashkitë, pasi në aktin normativ të 3 dhjetorit 2021, dha vetëm 500 milionë lekë për shlyerjen e borxheve të tyre, ose sa 7 përqind e totalit të detyrimeve të papaguara të pushtetit vendor! Ajo nuk ka nevojë për bashkitë, pasi për çdo investim kapital në nivel vendor, përdor shërbëtorin e bindur të saj, Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Bashkitë i duhen vetëm për të punësuar patronazhistët dhe “aktivistët”.
14 maji i zgjedhjeve vendore do të jetë vija e ndarjes përfundimtare mes keq-qeverisjes, abuzimit dhe korrupsionit të sektit Rama edhe në qeverisjen vendore, me mundësitë reale të bashkive tona për zhvillim e prosperitet për qytetarët e tyre. Pas 14 majit dhe fitores së kandidatëve të primareve, bashkitë e Bashkimit për Fitore do të jenë pasqyra e ndryshimit, përmes një programi konkret për shlyerjen e borxheve të akumulara, krahas rritjes së të ardhurave vendore dhe investimeve kapitale të bashkive, në dobi të komuniteteve të tyre.
Burimet nga ku u mbështet analiza: