Çfarë ndodhi pas takimit sekret Balla-Basha

Në emisionin “Çim Peka Live” u transmetua mbrëmjen e së mërkurës një video ekskluzive e takimit të fshehtë mes ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Takimi është zhvilluar në datën 3 dhjetor të vitit të kaluar në banesën e një prej bashkëpunëtoreve të ngushta të Lulzim Bashës, e cila për ironi, disa muaj para këtij takimi, ishte zgjedhur me votat e mazhorancës dhe opozitës në një funksion të rëndësishëm publik.

Siç shihet në videon e siguruar nga Syri Televizion, i pari që ka mbërritur në vendin e takimit është Lulzim Basha, i cili nuk udhëtonte me makinën personale, por me atë të bashkëpunëtores së tij të ngushtë.

Pak minuta më pas, ekzaktësisht në orën 18.27 minuta të mbrëmjes së 3 dhjetorit, në të njëjtin vend mbërrin edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kamerat tregojnë se takimi mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës ka zgjatur plot 60 minuta. I pari që është larguar nga takimi është Taulant Balla. Disa minuta pas Ballës, ka dalë nga banesa edhe Lulzim Basha.

Ndonëse takimet e fshehta mes Bashës dhe Ballës janë mohuar vazhdimisht, provat e publikuara në emisionin Çim Peka Live faktojnë se si Lulzim Basha, ndryshe nga sa artikulonte publikisht, takohej në fshehtësi me Taulant Ballën, rivalin kryesor politik, të cilin e akuzonte për lidhje me bandat. Këto prova dëshmojnë shumë lidhur me pengmarrjen e opozitës përmes pazareve, milionat e tenderave për njerëzit pranë Lulzim Bashës e deri te dosja ‘Toyota Yaris’, subjekt hetimi i drejtësisë belge.

Takimi i fshehtë Basha-Balla u zhvillua në një kohë, kur opozita përgatitej për zgjedhjet lokale, ndërsa Gjykata e Apelit do të vendoste 3 muaj pas këtij takimi okult marrjen peng të logos së PD, për të rivalizuar kandidatët demokrat në këto zgjedhje, me të komanduarit nga Enkelejd Alibeaj.

About Redaksia

Check Also

15 vite nga heqja e vizave, Berisha: Pa viza edhe në Amerikë dhe anëtarësim në BE pas 11 majit

Kryetari i PD, Sali Berisha ka kujtuar përmes një postimi në facebook liberalizimin e vizave …

Leave a Reply