Arben SHAHINI
Ndërsa fushata elekorale për zgjedhjet lokale të 14 majit është mbyllur, ajo që bie në sy është një bilanc i çuditshëm brenda PS.
Rama nuk ka vizituar për asnjë ditë të vetme përgjatë kësaj fushate Bashkinë e Krujës duke refuzuar që publikisht të mbështesë kandidatin e tij me preçedentë të shumtë penalë në këtë bashki, Artur Bushi.
Rama nuk ka vizituar asnjë nga zonat e kësaj bashkie gjatë kësaj fushate. Bashkia e Krujës është një nga Bashkitë më të mëdha pasi ka brenda saj edhe Fushë-Krujën dhe numri i votuesve të kësaj Bashkie kalon atë të 60 mijë zgjedhësve.
Për të parën herë gjatë këtyre 10 viteve në pushtet Rama ka braktisur publikisht Krujën dhe kandidatin e tij në këtë Bashki, Artur Bushi. Në të gjitha fushatat e mëparshme Rama ka zhvilluar të paktën një ose dy takime në këtë Bashki, por kësaj radhe ai nuk ka bërë asnjë vizitë. Edhe një vizitë e paralajmëruar katër ditë më parë në një zonë të kësaj Bashkie është anulluar.
Arsyet e braktisjes së Krujës dhe të kandidatit të tij Bushi janë të patën tre.
E para janë sondazhet brenda vetë PS të cilët e nxjerrin Bushin humbës përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Agron Loka dhe diferenca është jo e vogël mes të dy kadidatëve.
Rama nuk mund të japë mbështetje publike dhe të marrë kosto për ata që janë humbës.
E dyta ka të bëjë me klimën e revoltës që është sot në të gjitha zonat e kësaj Bashkie, por veçanërisht në Krujë. Kruja pritet të jetë një votë proteste ndaj Bushit dhe PS. Arsyet lidhen me shndërrimin e këtij qyteti simbol të historisë së Shqipërisë në një provincë të harruar prej të cilës janë larguar të gjitha institucionet shtetërore. Asnjë investim nuk ka pasur nga qeveria për këtë zonë, ndërsa një ndër skandalet më të mëdha që ka goditur qytetin e Krujës është ai i ujit të pijshëm.
Rama dhe Bushi inauguarun një ujësjellës të ri me një investim prej 6 milionë eurosh. Por ky investim që duhet ta bënte Krujën të kishte 24 orë ujë të pijshëm e ka lënë qytetin fare pa ujë të pijshëm sepse e gjitha ka rezultuar një aferë korruptive që ka irrituar të gjithë banorët e qytetit.
Arsyeja e tretë që Rama ka braktisur Bushin ka të bëjë me hetimet për korrupsion që SPAK ka nisur ndaj Bushit për disa çështje. Rama ka lënë të kuptohet se nuk e do më Bushin në krye të Bashkisë, pasi një arrestim i mundshëm i tij nga SPAK pas 14 majit do ta bënte sërish Ramën përgjegjës për të korruptuarit dhe të inkriminuarit që ka mbështetur për të qenë në krye të Bashkive.
Rama nuk kërkon të marrë vetë personalisht një kosto të tillë duke preferuar që të djegë më mirë kandidatin e tij në Krujë se sa të paguajë për njerëzit e zgjedhur prej tij që përfundojnë në qeli.