Dule: Problemi kryesor në Himarë është tjetërsimi i pronave për interesa të kryeministrit

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule duke folur në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, është shprehur se problemi kryesor aktual në Himarë është tjetërsimi i pronave, që është në interes të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, pasi ka interesa klienteliste.

Dule tha se, Fredi Beleri kishte hartuar një strategji për këtë çështje dhe njerëzit e besuan, gjë që solli edhe ndërhyrjen brutale të Ramës që e çoi në pranga.

“Sot paradite theksova në një intervistë dhe theksova këto dy fakte. Kryefjala e problematikës së Himarës është tjetërsimi i pronave. Tjetërsimi i pronave është një problem në të gjithë Shqipërinë, por masiviteti dhe intensiteti me të cilin manifestohet ky problem në Himarë është i shumëfishtë krahasuar me zonat e tjera të Shqipërisë.

Pothuajse e gjithë hapësira bregdetare e Jonit është nën sulmin e përditshëm me zbatim ligjesh dhe vendimesh të qeverisë, të Këshillit Kombëtar të Territorit të cilat kanë një objekt, që në vlerësimin tim është zgjedhje strategjike e kryeministrit: tjetërsimi i statusit pronësor në dëm të pronarëve vendas dhe në favor të interesave klienteliste të kryeministrit.

Kolegu juaj grek me të cilin fola sot, më tha është e rëndë, a mund ta bëni pak më të shkoqur. I përmenda rastin që e dinë të gjithë; bashkëshorti i ministres së Jashtme me kompaninë e tij është një nga përfituesit e këtyre praktikave. Konsiderohet investues strategjik në pronën që nuk është as e shtetit dhe as e tij dhe kjo problematikë po zbatohet pothuajse në të gjithë Himarën, duke dhunuar të drejta që janë të shenjta dhe duke e shoqëruar me një klimë terrorizimi dhe kërcënimi të vazhdueshëm me qëllim që askush të mos protestojë dhe ti pushtojë fataliteti.

Dhe këtu doli Fredi Beleri i cili vuri në epiqendër pronën dhe e besuan qytetarët, krijoi një motivim të fuqishëm dhe situata po shkonte në fitore dhe këtu kemi pikërisht ndërhyrjen brutale kundër çdo norme demokratike duke arritur deri në arrestimin e Belerit”, tha Vangjel Dule.

About Redaksia

Check Also

15 vite nga heqja e vizave, Berisha: Pa viza edhe në Amerikë dhe anëtarësim në BE pas 11 majit

Kryetari i PD, Sali Berisha ka kujtuar përmes një postimi në facebook liberalizimin e vizave …

Leave a Reply