Nga Tritan SHEHU
Grupi parlamentar i PD është ai i dalë nga zgjedhjet e 2021! Kohezioni i tij do të ishte një hap pozitiv, i nevojshëm!
“Dorëheqja” e misionarit të përçarjes, atij që vetëm përjashtoi deputetë, distancimi nga ai, është një mundësi reale për unifikim të deputeteve. Kjo në qoftë se ka sinqeritet e dëshirë të tillë midis kolegëve deputetë! Por fatkeqësisht edhe sot po konstatoj disa lëvizje jotransparente, të vetëm disa kolegëve në këtë drejtim.
Kujdes, të tilla veprime veçse vështirësojnë atë që është e nevojshme për PD, pritshmërinë e demokratëve kudo: Të na shohin së bashku si grup, ashtu si në shumicë janë ata në bazë, qofte kjo edhe me diversitetet tona; që tashmë mund të gjejnë “autonomi” edhe nëpërmjet fraksioneve statusore, prandaj miqësisht i drejtohem të gjithë kolegëve:
Hapi i parë duhet të jetë “konstituimi” midis nesh i atij grupi të deputetëve të PD, ashtu siç i ka çertifikuar KQZ mbas zgjedhjeve të prillit 2021, pa asnjë anashkalim. Duke hedhur në kosh të gjitha përjashtimet e realizuara më pas dhe më tej të gjithë së bashku të zgjedhim drejtuesit e grupit.
Të përcaktojmë disa hapa konkrete për të forcuar bashkëpunimin midis nesh, për të marrë pamjen e një grupi të vërtetë parlamentar.
Kjo do të ishte rruga e vetme produktive, e mirëpritur, për të tejkaluar gabimet e mëdha që prej shtatorit 2021e pasojat e tyre dhe jo vendime të kryera nga një “gjysmë” grup!