Sali Berisha tha se dy personave në PD u është vënë “vijën e kuqe” dhe se nuk do të ketë kurrë një diskutim apo negociatë me ta, duke përmendur Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.
Në një konferencë me gazetarët Berisha shkoi më tej me akuza kur tha se Enkelejd Alibeaj, pas dorëheqjes, mori sot nga Edi Rama 220 mijë euro shpërblim.
I pyetur nëse do të ketë një bisedim apo negociatë me PD zyrtare dhe grupin e tij, Berisha tha se përveç dy personave të lartpërmendur, me këdo tjetër është i hapur.
“Qëndrimi dhe deklarata ime është kjo: dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD, Lul Brava dhe Ali Basha, që mori vetëm sot shpërblim nga Rama 220 mijë euro. PD është e hapur për të gjithë të tjerët, debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Por, dy persona pengje të Ramës, u përdorën pa mëshirë nga ai për të goditur opozitën”, tha Berisha.
Më tej Berisha tha: Përsa i përket atij rezultati, unë u bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm.
PD-së iu mohua logoja, PD-së iu mohua kryetari i koalicionit. E di si e bëri Edi Rama? Kur ringu ishte përgatitur për ndeshjen, me mekanizma alla-Putin, shpalli veten fitimtar duke mos lejuar kundërshtarin të futet në ring. Por ajo nuk është fitore? Ajo është tmerr-fitore! Sepse pasojat sigurisht që ishin për PD-në, por më të rënda qenë për atë. Se ai parashikoi jo vetëm që ajo të ishte një kolpo asgjësuese, përfundimtare. Por në fakt u përball me të kundërtën.
Me të gjithë aktet e tij kriminale, 510 mijë shqiptarë u ngritën mbi të gjitha dhe i thanë se opozita shqiptare është e pamposhtur. Unë jam këtu për të thënë se këto zgjedhje janë një farsë elektorale e paprecedent. Unë kam besim të plotë se shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar. Ne jemi zotuar se do mbrojmë votën. Është gjë e paimagjinueshme kjo që bëjnë mediat, të cilat përpiqen të bindin shqiptarët se nuk është përgjegjës hajduti, por viktima. Ky është një akt amoraliteti. Por ne qëndrojmë, ja ku jemi përditë në mbrojte të votës.