Ish kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është më i hapur se shumë të tjerë në PD-në e rithemeluar për të pranuar se humbja ishte edhe rezultat i konfliktit të brendshëm në PD.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, Këlliçi renditi arsyet pse gara e Tiranës ishte e pabarabartë, që nga financat, logo, përdorimi i paligjshëm i pushtetit nga kundërshtari, minutazhi 8 herë më pak në disa media, mungesa e komisionerëve, numëruesve.
Por, ndryshe nga linja zyrtare, ai nuk anashkalon edhe përgjegjësinë nga brenda vetë opozitës.
“Nuk e prisja këtë rezultat. Kam pritur një reagim më të madh të qytetarëve, edhe pse kam qenë i vetëdijshëm që kam hyrë në një garë të pabarabartë. Por, patjetër që PD ka patur problemet e saj, prandaj nuk u krijua ajo valë qytetarësh që unë do të kisha dëshiruar, që të kishin dalë 60-70% që të mundnin këtë makineri. Pra, mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka qenë vetëm për shkak të shantazhit, shitblerjes së votës, por ka qenë edhe një pjesë e tyre të bindur që nuk do të fitonim dot për shkak të situatës sonë.“- u shpreh Belind Këlliçi gjatë intervistës në RTSH. E vetmja zgjidhje që ai sheh për situatën tani është dhënia fund e përçarjes. „Pa u ulur të gjithë, pa vënë gishtin në plagë, pa gjetur mënyrën sesi të bashkojmë çdo faktor, si të krijojmë një lëvizje sa më të madhe të së djathtës, ku të bëhen pjesë të gjithë faktorët opozitarë për të rrëzuar Edi Ramën, ne nuk do të kemi sukses. Për këtë jam i bindur”, Këlliçi.
Gjithashtu pas zgjedhjeve Këlliçi ka thyer akujt dhe është takuar me nënkryetaren e PD zyrtare Jorida Tabaku, e cila përpara zgjedhjeve, mbrojti idenë se në Tiranë opozita duhet të kishte vetëm një kandidat.
“E kam takuar zonjën Tabaku. Kemi biseduar për çështje personale, por edhe për fushatën, për rezultatin. Jemi të gjithë të mërzitur, të zhgënjyer nga kjo që ka ndodhur, por preferoj të mbetet çështje e atij takimi.“- tha ai, i cili u pyet gjithashtu, nëse ka ambicien për të kandiduar më vonë për të marrë drejtimin e PD.
“Nuk kam ambicie të tillë, nuk i shërbej kësaj ambicieje. Ambicia ime e vetme është fitorja e zgjedhjeve, mundësisht para vitit 2025 për të rrëzuar Edi Ramën. Kjo është ambicia ime më e madhe.”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai shtoi se bashkimi i PD-së është i domosdoshëm, por me Berishën si kryetar, duke shtuar se kush do largimin e ish-kryeministrit ta mundë atë me votë.
“Edhe Gazment Bardhi, edhe Jorida Tabaku të vërtetën thonë, se duhet të ulemi për një bashkim dhe unifikim të opozitës për të folur për një bashkim të opozitës, ku fokusi kryesor duhet të jetë rrëzimi i Edi Ramës dhe lufta me njëri-tjetrin”, këlliçi, i cili flet për votën në bazë, kur pyetet sesi mund të bashkohet opozita duke qenë e drejtuar nga zoti Berisha, kur ajo u përça sepse në krye të saj ishin Berisha dhe Basha dhe se nuk mund të merret një rezultat i ndryshëm nga njerëz të njëjtë.
“Opozita bashkohet nga ata drejtues që anëtarët I zgjedhin vetë për t’i drejtuar. Të futen dhe të provojnë veten me votë. Duhet pranuar mekanizmi i votës. Secili ka aksionet e veta. Pse i thuhet ik një njeriu që ka aksionet më të mëdha? Atëherë eja dhe munde.”- tha Belind Këlliçi.
Ai pohon pamjaftueshmërinë e zotit Berisha për të sjellë në pushtet PD, por nuk vë në diskutim lidershipin e tij, përsa kohë ka votëbesimin e anëtarësisë. “Jo, zoti berisha nuk është I mjaftueshëm për të çuar PD në fitore. Duhet shumë herë më shumë se zoiti Berisha. Ata që nuk e pranojnë janë shpallur non grata nga baza. Të zbresin në bazë dhe të pyesin bazën. Të shohin realitetin në terren. Këta nuk pranojnë votën. Futu dhe munde Berishën me votë. Mendoj që një politikan e largon vota. Përsa kohë nuk është i votueshëm, duhet të largohet. Në PD kushdo që do që të largojë zotin Berisha, ta mundë me votë”, ka thënë më tej ai.