Kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi është shprehur në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, se me atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ka ndodhur edhe shkrirja e asaj strukture paralele të PD-së.
Gjatë bisedës në studio, Kasmi u shpreh se tashmë kjo strukturë nuk ka më asnjë titullar, sepse Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga funksionet dhe Gazment Bardhi e braktisi atë mbledhje. Sipas kryeredaktorit të RD, Lulzim Bashën tani e mbështesin vetëm 4-5 deputetë.
‘Duhet të kuptojmë se pse është gjithë ky nervozitet i këtij njeriu që mbledh disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, sepse Gaz Bardhi, Jorida Tabaku i kanë qëndruar në ditën më të keqe Lulzim Bashës. Atëherë, çfarë e ka detyruar këtë njeri që ti ndërsejë disa banditë të vegjël, këtyre njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje, as me dhunën as me imponimin e forcës, asgjë fare.
Është pikërisht kjo impotencë politike që ka Lulzim Basha brenda asaj strukture dhe unë do të ndalem vetëm tek një deklaratë, tek Gaz Bardhi i cili thoshte se; Kjo dhunë e instrumentalizuar nga elementë paramilitarë i jep fund bashkëjetesës në këtë forcë politike. Pra kemi një ndarje e cila është tashmë zyrtare. Ajo që shkon dhe duhet përtej kësaj ndarje mes këtij grupimi është për mendimin tim, nga dita e djeshme ne kemi shkrirjen zyrtare të kësaj strukture paralele të PD-së.
Ka dhënë dorëheqjen nënkryetarja e partisë, ka dhënë dorëheqjen sekretari organizativ. Nuk ka asnjë titullar më kjo strukturë paralele e PD-së.
Tashmë i vetmi zyrtar i kësaj strukture paralele është Gazment Bardhi. Bardhi ka dhe detyrën e sekretarit të Përgjithshëm dhe ka detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së. Dhe padia në gjykatë është bërë me atributet e grupit parlamentar. Tani mendoj se është koha për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirët të mundshme për demokratët.
Unë besoj se ky grupim i vogël, pjesë e kësaj strukture paralele do të duhet ta rishikojë përtej interesave që ka parë deri dje PD-në, do të duhet të shkojnë dhe të shohin atë realitet që ka PD dhe opozita sot. janë të hapura të gjitha opsionet.
Kjo e keqe që ndodhi mbrëmë tregoi se kush është fytyra e vërtetë e Lulzim Bashës dhe e dyta shkriu atë strukturë paralele të PD, që funksiononte si pjesë e kapjes nga regjimi dhe tani etapë që duhet të ketë bisedime mes të gjithë faktorëve politikë në PD për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për të arritur një bashkim brenda të gjithë hapësirave dhe kornizave statusore që të prodhojnë një politikë që ta vendosë opozitën përballë regjimit.
Sipas zotit Korreshi nuk janë më shumë se 4-5 deputetë që mbështesin Bashën tani’, u shpreh Bledi Kasmi në studion e SYRI TV.