Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, tha se është e gatshme të japë dorëheqjen.
“Jam e gatshme dhe llogarisni se mund ta keni dorëheqjen time”, tha ajo gjatë një fjalimi publik së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ajo tha se mendon se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare deri në fund të vitit është zgjidhje për krizën dhe shtoi se opozita nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për takim.
Në muajt e fundit, në Serbi janë mbajtur disa protesta të thirrura nga një pjesë e opozitës që është e pakënaqur me përgjigjen e Qeverisë ndaj dy të shtënave masive në muajin maj, që lanë të vrarë 18 persona.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se është e sigurt se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se pyetja e vetme është se kur do të mbahen ato.
Vuçiç tha se nuk do të ketë qeveri tranzitore.
Presidenti i Serbisë ftoi edhe një herë opozitën për të biseduar.
“Besoj se do të gjejmë bashkëbisedues. Nëse kjo nuk ndodh, do të shkojmë në zgjedhje, por Qeveria nuk do të zgjidhet në rrugë dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore”, tha Vuçiç.
Ndryshe, Bërnabiç ka marrë mandatin për të udhëhequr Qeverinë e re serbe në mesin e vitit 2022.
Atëbotë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kur njoftoi për mandatimin e saj në krye të ekzekutivit, tha se Bërnabiç nuk do të qëndronte në këtë post në mandat të plotë, por gjatë vitit 2024 do të kishte ndryshime.