Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nisi menjëherë një fushatë për mbledhje fondesh pasi u bë e ditur se ndaj tij janë ngritur shtatë akuza për mënyrën se si i ka trajtuar informacionet e klasifikuara.
Gjatë një reagimi për mbështetësit e tij, Trump tha se kjo është ndërhyrje në procesin zgjedhor, ndërsa vazhdoi të sulmonte miliarderin majtist, George Soros.
“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një akt i neveritshëm i ndërhyrjes në zgjedhje nga partia në pushtet për të eliminuar opozitën dhe për të grumbulluar kontroll total mbi vendin tonë”.
“Shteti i Thellë (Deep State) mendoi se e kishte shkatërruar fushatën tonë kur një prokuror i mbështetur nga Soros më paditi dhe madje më arrestoi në fillim të këtij viti.
Por më pas, ne i shokuam ata ndërsa fushata jonë u forcua edhe më shumë. Ne thyem rekorde në mbledhjen e fondeve. 3 sondazhe të pavarura treguan se ne e mundim Joe Biden me 7 pikë. Në fakt, sondazhet tregojnë se unë jam i vetmi republikan që mund ta mposht Joe-n e pandershëm”.
“Pra, pasi një prokuror i shtetit dështoi që të na thyente, ‘Deep State’ i ashpërsoi sulmet e tij dhe lëshoi një prokuror federal që të tentonte të na rrëzonte.
Por më lejoni të jem sa më i qartë që të jetë e mundur. Pa marrë parasysh sa egërsisht më sulmojnë, unë KURRË, KURRË nuk do t’ia dorëzoj vendin tonë të majtës radikale dhe nuk do të përfundoj KURRË këtë fushatë presidenciale që ju vë ju në plan të parë,” tha Trump.