Bugajski: Për Edi Ramën, më shumë rëndësi ka lidhja personale me Vuçiçin se sa Kosova

Nga Janusz Bugajski, The GeoPost

Ndonëse shqiptarët vazhdimisht e shfaqin unitetin kombëtar me valëvitje flamujsh, fjalime të mëdha e gjeste simbolike, në të vërtetë vetëm pak nën sipërfaqe vlojnë konflikte për pushtet e shtetësi. Në rastin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, tensionet politike dhe ambiciet konfliktuese po ziejnë dhe efekti do të favorizojë në radhë të parë axhendën rajonale të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për përkrahjen që i jep presidentit serb Aleksandar Vuçiç duke e ndihmuar në projektimin e një statuti për njësinë autonome serbe në Kosovë pa u konsultuar me Prishtinën. Ai vuri në dukje edhe se Rama nuk ka arritur të bëjë një propozim të ngjashëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndonëse Neni 8 i Kushtetutës Shqiptare e detyron Tiranën të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në të gjitha vendet, sidomos në Ballkan.

Në fakt, Prishtina ka inate të mbledhura me Tiranën e sidomos kundër qeverisë aktuale socialiste. Liderët kosovarë kanë ngritur pyetje serioze për përkrahjen e Ramës për iniciativën e Ballkanit të Hapur – një format që favorizon objektivat ekspansioniste dhe tregtare serbe. Qeveria në Tiranë shfaq fare pak solidaritet publik me Prishtinën për çështje vitale në dialogun me Beogradin. Madje shpesh duket se lidhjet personale mes Ramës e Vuçiçit kanë më tepër vlera se shqetësimet për sigurinë e Kosovës dhe integrimin ndërkombëtar të saj.

Por, një lojë më e madhe po luhet. Rama beson se Tirana duhet të jetë qendra e “botës shqiptare” me Prishtinën vetëm si një kryeqytet provincial. Synime të tilla shihen me keqardhje nga thuajse të gjithë liderët politikë të Kosovës që e shohin shtetin si arritjen e tyre më të madhe pas vitesh nën Serbi e Jugosllavi. Ndonëse Kurti ka shprehur përkrahje potenciale për një shtet të vetëm shqiptar përmes procedurave demokratike dhe një referendumi të hapur, është e vështirë të imagjinosh që ai do të pranojë një bashkim me Shqipërinë ku statusi i Kosovës do të degradonte në nivel province. Për më tepër, sa më gjatë që Kosova ekziston si shtet, aq më e thellës është ndjesia e dallimit midis popullatës së saj dhe mungesa e dëshirës për të qenë sërish të varur.

Rama shfaq një pikëpamje pan-shqiptarizmi me Tiranën në qendër, ku mund të bëhen marrëveshje pa përfshirjen e liderëve të zgjedhur në Prishtinë. Prej aty buronte edhe përkrahja e heshtur e Tiranës për ndarjen e Kosovës gjatë presidencës së Trumpit, me veriun e Kosovës që do t’i jepej Serbisë dhe pjesa tjetër do t’i bashkohej Shqipërisë. Ndonëse kjo marrëveshje sekrete nuk u bë publike, u zbuluan mjaft detaje për ndryshimin e kufijve që implikonin bashkë Serbinë dhe Shqipërinë. Propozimet e Trumpit në fund u futën në sirtarë pasi hasën në rezistencë të fortë ndërkombëtare dhe kërcënuan të rindiznin rajonin.

Projekti më i ri parashikon rindarjen e rajonit pa i ndryshuar kufijtë dhe me sa duket ka siguruar aprovimin e administratës Biden. Ballkani Perëndimor do të ndahet në tri sfera të dallueshme influence, në të cilat Beogradi, Tirana dhe Zagrebi do të fitonin influencë politike dhe ekonomike mbi fqinjët e vegjël, përfshirë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Nën presionin ndërkombëtar, shtetet më të dobëta do të pritej të bindeshin me qëllim sigurimin e stabilitetit rajonal.

Kritikat e Kurtit për Ramën tregojnë që ky plan njihet mirë në Prishtinë dhe po i tharton edhe më tej marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare. Në mënyrë paradoksale, pasi ka bërë rezistencë të fortë karshi Beogradit për disa dekada, Prishtina tani duhet t’i bëjë rezistencë edhe sindromës së “vëllait të madh” që ka Tirana. Kosovarët do t’u kundërvihen përpjekjeve për të kufizuar pavarësinë e tyre apo skemave të tilla serbe si “shoqata e komunave” që do ta bënte shtetin pa diskutim jofunksional politikisht. Vërtet, Kurti duhet të marrë në konsideratë thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme për të demonstruar se sa përkrahje publike ka realisht qeveria në rezistencën kundër presionit për t’i bërë lëshime Beogradit. Kjo do t’u dërgonte një sinjal të fortë edhe qytetarëve shqiptarë që fati i Kosovës nuk mund të vendoset në Tiranë.

Grindjet midis Shqipërisë dhe Kosovës e ndërmjet liderëve shqiptarë në dy anët e kufirit shtetëror mund të jenë konstruktive nëse ato çojnë në nisma të reja dhe përfshijnë publikun e të dy vendeve në diskutimet për një të ardhme të përbashkët. Megjithatë, mosmarrëveshja aktuale i shërben kryesisht interesave të administratës së Vuçiçit në tri mënyra. Së pari, mbështetja nga Tirana forcon pozicionin e Beogradit në dialogun me Prishtinën. Së dyti, zvogëlon statusin e Kosovës, si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel, ndërkohë që rrit reputacionin e Ramës si zgjidhës i problemeve rajonale. Dhe së treti, ushqen akuzat stereotipike serbe se shqiptarët janë të paaftë për të qeverisur veten dhe kanë nevojë për një padron rajonal.

About Redaksia

Check Also

Fundosje totale e SPAK në llumin e pandëshkueshmërisë rilindase!

Nga Petrit VASILI Edhe shqiptari mē i fundit përfshirë edhe socialistët e ka shumë të …

Leave a Reply