Studentët e mjekësisë do të protestojnë të premten më datë 23 Qershor, përpara rektoratit të Universitetit të tyre, pasi kundërshtojnë planin e qeverisë për të vendosur një tarifë prej 5 mijë eurosh për ata që duan të largohen nga Shqipëria në përfundim të universitetit. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, pasi nuk e quajnë të drejtë këtë tarifë. Studentët thonë se protesta do nisë në orën 10:00 te rektorati i Universitetit të Mjekësisë, po marshimi do të zhvendoset te Ministria e Arsimit.
Studentët kundërshtojnë draftin e qeverisë që i detyron të punojnë tre vite në Shqipëri, dhe më pas të pajisen me diplomë. Ata i kërkojnë qeverisë që të përmirësojë kushtet në fakultete dhe në punë, që mjekët e rinj të mos ikin nga vendi.
Me thirrjet “standard, jo diktaturë”, studentët e mjekësisë së Universitetit të Tiranës, protestuan një ditë më parë në ambientet e rektoratit.
Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë.