Nga Bujar LESKAJ
Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua…
Vargjet e Naim Frashërit kushtuar Mësonjëtores së parë shqipe sot marrin një tjetër kuptim, kuptim të dhimbshëm, kur Universiteti “Fan Noli” në Korçë mbyllet për t’u shkrirë me Universitetin e Tiranës, për shkak të numrit të ulët të studentëve.
I trishtë ky lajm, sepse paralajmëron mbylljen edhe të universiteteve në qytetet e tjera të Shqipërisë, në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër…
I trishtë, sepse do të rëndojë buxhetin e familjeve dhe do të rrënojë ekonomitë familjare për studimin e të rinjve vetëm në Tiranë.
Besoj se kishte veç dhimbjes e pafuqisë, që janë normale (për aftësinë apo paaftësinë e tij, le të flasin të tjerët) edhe ironi therrëse në fjalën e rektorit të universitetit të Korçës në konferencën për shtyp, kur ndër të tjera tha, se “…ky është vizioni i Ramës!”.
Dhe vërtet! Ky është vizioni i Ramës dhe sektit që drejton në këto 10 vite qeverisje:
– Shkolla fillore e 9- vjeçare të mbyllura anembanë Shqipërisë.
– Shkolla të mesme me numër të ulët nxënësish
– Universitete që mbyllen e shkrihen si pasojë e numrit gjithnjë e në rritje të të rinjve që i mungojnë Shqipërisë.
– Largim pa kthim i të rinjve e nxënësve ekselentë në universitetet e botës…
Ky është vizioni i Ramës dhe sektit të tij: “Vetëm Përpara- jo mbrapa”- Largim, largim, shpopullim, shpopullim, varfërim, varfërim!