Ish-ministri Genc Pollo apelon se, Kosovës në këto momente kritike që po kalon i duhet domosdoshmërisht konsensusi politik. Pollo thotë për gazeta Panorama se faktori politik duhet të dakordësohet se ku është limiti i pakalueshëm i Asociacionit dhe për njohjen faktike që Kosova duhet të marrë nga Serbia në shkëmbim.
Në një situatë të tillë kur Prishtina dhe Beogradi nuk po gjejnë një zgjidhje mes palëve, Pollo është i bindur se “Kosova është mes Shilës e Karidbit!”.
Ai risjell në vëmendje tensionet e krijuara në vitin 2011 pas vrasjes në Leposaviç nga grupet kriminale serbe të policit kosovar Enver Zymberi.
Pollo rrëfen se në Durrës kryeministri Hashim Thaçi erdhi dhe u konsultua me kryeministrin Sali Berisha, por sipas tij për rrëmbimin e tre policëve kosovarë Albin Kurti e ka të vështirë që të kërkojë ndihmën e Edi Ramës.
“Në vitin 2011 në Leposaviç grupet kriminale serbe vranë policin kosovar Enver Zymberi e në vijim u krijuan tensione serioze me Serbinë; kryeministri Thaçi erdhi në Durrës për konsultime të ngushta me kryeministrin Berisha. Shqipëria nuk është fuqi e madhe, por sidomos në kriza të tilla mund të ndihmojë Kosovën me shpjegime, lobime e ndërmjetësime. Gjatë krizës së tre policëve të rrëmbyer vështirë të imagjinosh kryeministrin Kurti të vijë në Tiranë për të kërkuar ndihmën e Ramës. Dhe më duket se pak a shumë kjo mund të thuhej edhe për kryeministrat e mëparshëm si Haradinaj, Hoti e Mustafa.
Rama vetëm se retorikisht kërkoi lirimin e policëve duke dhënë një provë tjetër të padobisë politike të Ballkanit të Hapur dhe të raportit personal që ka vendosur me Vuçiçin”, tha Pollo.