Nga Guy Taylor, Washington Times
Grupi kryesor disident iranian në mërgim ka deklaruar se administrata Biden po i shpërfill sulmet kundër anëtarëve të tij në Evropë për të marrë me të mirë regjimit teokrat të linjës së ashpër në Iran e për ta rikthyer në tryezën e bisedimeve për programin e tij të dyshimtë bërthamor.
Mujahedeen-e-Khalq (MEK) u rikthyen në qendër të vëmendjes pasi autoritetet shqiptare bastisën kampin e grupit në Shqipëri. Qeveria franceze bëri të ditur javën e kaluar se nuk do të lejonte një miting të opozitës iraniane të planifikuar për muajin tjetër në zemër të Parisit, për shkak të rrezikut të dhunës. Këto mitingje janë mbajtur çdo viti që nga 2008.
Ali Safavi, përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), përkrahës i MEK, tha për ‘Washington Times’ se administrata Biden “po e keqtrajton padrejtësisht MEK për t’u bërë qejfin sunduesve brutalë të Iranit”.
MEK ka një histori të trazuar me Uashingtonin. Grupi dikur u vendos e më pas u hoq nga lista e Departamentit të Shtetit për organizatat e huaja terroriste. Ai fitoi influencë politike vitet e fundit me thirrjet për ndryshim të regjimit në Iran dhe për mbështetjen e politikës së administratës Trump për “presion maksimal” kundrejt Iranit.
Administrata Biden, e cila ka kërkuar ulje të tensioneve me Teheranin në tre vitet e fundit, ka mbajtur qëndrim të kujdesshëm kundrejt MEK dhe e ka minimizuar rëndësinë e mësymjes shqiptare në kompleksin e grupit. Shtëpia e Bardhë nuk ka protestuar as për vendimin e Francës për anulim të mitingut të përvitshëm.
MEK u vendosën në Shqipëri pas një marrëveshjeje të arritur me administratën Obama. Në bastisjen e 20 qershorit, autoritetet shqiptare sekuestruan 150 pajisje kompjuterësh, disa persona u plagosën dhe një disident 65-vjeçar u vra, bëri të ditur grupi.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Tasnim supozon se Shqipëria e kreu sulmin me kërkesë të Teheranit, i cili e etiketon MEK si organizatë terroriste dhe e akuzon se synon të rrëzojë regjimin islamik.
“Ajo që ndodhi në Shqipëri ishte në të vërtetë rezultat i diplomacisë së autoritetit të Republikës Islamike të Iranit dhe i akteve të institucioneve të ndryshme”, raportoi Tasnim.
Më 2013, qeveria shqiptare pranoi të strehonte anëtarët e MEK me kushtin që ata të mos angazhoheshin në aktivitete politike dhe t’u bindeshin ligjeve të vendit. Kampi Ashraf-3 tani strehon rreth 2,500 mërgimtarë iranianë në më tepër se 125 godina.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente, por Departamenti i Shtetit tha për ‘Washington Times’ se zyrtarët amerikanë ishin informuar për sulmin dhe shprehën besimin se ishte kryer duke zbatuar ligjin. “Ne e mbështesim të drejtën e qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda territorit të saj”, tha Departamenti.
Kontaktet pas kuintave midis Uashingtonit e Teheranit synojnë të ringjallin njëfarë versioni të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të prishur nga Presidenti Trump më 2018. I dërguari special i administratës Biden në Iran, Robert Malley, thuhet se është takuar shumë herë me Amir Saeid Iravani, ambasadori iranian në OKB, duke shkaktuar spekulime se administrata është e etur për të tërhequr sërish Teheranin në bisedimet bërthamore. Raportet thonë se programet e Teheranit po i afrohen sërish pikës kritike për krijimin e bombës bërthamore.
Një përpjekje e administratës Biden vitin e kaluar për joshur Iranin në tryezën e bisedimeve dështoi pasi Irani refuzoi një kompromis të propozuar nga vende lider në Evropë. Irani thotë se faji i prishjes së marrëveshjes i mbetet SHBA dhe sanksioneve të ashpra ekonomike. Teherani ka kërkuar garanci që administratat e ardhshme amerikane nuk do të ndjekin shembullin e Trump-it në refuzimin e çdo pakti që kufizon programet bërthamore të Iranit.
Zemërim në Kongres
Disa ligjbërës të njohur amerikanë kanë shprehur zemërim për përgjigjen e administratës Biden për masat e ashpra mbi MEK.
MEK depozitoi një padí pasi Franca liroi një diplomat iranian të dënuar për planifikim bombe në mitingun e përvitshëm më 2018.
“Thellësisht të shqetësuar që në Evropë – dhe pikërisht tani në Francë e Shqipëri – aleatët tanë po marrin me të mirë regjimin iranian dhe marrin masa kundër disidentëve anti-regjim”, shkroi javën e kaluar Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz. “Administrata Biden po mbështet këto politika pro regjimit. Masat e ashpra dhe marrja me të mirë do t’i japin zemër e mundësi regjimit iranian për të kryer më tepër terrorizëm global”.
Administrata Biden e ka mbajtur statusin prej shumë kohësh të Departamentit të Shtetit që e përcakton Iranin si shtet sponsorizues i terrorizmit, si dhe përcaktimin e administratës Trump për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste. Zyrtarët thonë se Biden është i gatshëm të përdorë forcën, nëse do të jetë e nevojshme, për të ndaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore.
MEK ka qenë i angazhuar në luftë për pushtet kundër udhëheqësve të Revolucionit Islamik të Iranit të vitit 1979 dhe akuzohej për sulme terroriste kundër objektivave të qeverisë iraniane gjatë viteve ‘80. Zyrtarët amerikanë thonë se MEK mori pjesë në sulmet ndaj amerikanëve, por përfaqësuesit kanë argumentuar prej kohësh se asnjë shqetësim legjitim i sigurisë kombëtare nuk e shtyu Uashingtonin ta fuste në listën e dikurshme si organizatë terroriste.
MEK thotë se zyrtarët e administratës Clinton e cilësuan grupin si organizatë terroriste në fund të viteve ‘90 si një gjest pajtimi me Teheranin.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj sage të shpalosur më parë: një spektakël i ndërtuar keq, i shënuar nga përpjekjet e pandërprera dhe të pasuksesshme të Departamentit të Shtetit për të marrë me të mirë regjimin mesjetar të mullahëve të Iranit”, tha Safavi. “Besueshmëria e MEK nuk buron nga deklaratat absurde të Departamentit të Shtetit, por i ka rrënjët thellë në luftën 60-vjeçare pa kompromis dhe në sakrificat e mëdha që ka bërë në luftën për liri në Iran”.