Shqipëria humbet një tjetër gjyq në Strasburg

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, ka gjetur shkelje të nenit 6 të Konventës në të drejtën për një proces të rregullt ligjor gjatë procesit të vetingut të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza si dhe i ka njohur atij një dëmshpërblim prej 3500 eurosh për kostot dhe shpenzimet.

Megjithatë, Gjykata e Strasburgut vlerëson se nuk ka pasur mangësi në vendimarrjen mbi vlerësimit pasuror të Thanzës, e cila shërben më vete si shkak ligjor për shkarkimin. Gjithashtu, Strasburgu vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.

Sipas vendimit, ish-gjyqtarit Thanza nuk i janë dhënë mundësi të mjaftueshme për të mbrojtur veten lidhur me mosdeklarimin prej tij të lidhjeve me krimin e organizuar, ndërkohë që arsyetimi i institucioneve të vetingut mbi këtë çështje konsiderohet “i papërshtatshëm dhe formal”.

Problemet për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza nisën gjatë vetingut të kryer ndaj tij, ku në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë; kishte fshehur dhurata nga palët që kishte gjykuar; kishte kryer deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit; si dhe kishte kontakte të papërshtatshme.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në KPK më 10 korrik 2018, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bëri të ditur se ishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën Thanza nuk e kishte pasqyruar në vetëdeklarim. Vendimi i shkarkimit të Thanzës u gjet i drejtë dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Paralelisht me procesin e vetingut, Thanza iu nënshtrua edhe një procesi penal për mosplotësimin e saktë të formularit të dekriminalizimin dhe u dënua me 9 muaj burg në maj të vitit 2019, që u konvertua në 18 muaj shërbim prove. Në vitin 2021, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Kurrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata respektive vendosi sekuestrimin e banesës dhe të një garazhi të Thanzës.

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar të mjaftueshëm njohjen e shkeljes së nenit 6 të Konventës, ndërsa ka rrëzuar kërkesat e tjera të subjektit. Në vendim thuhet gjithashtu se Thanza nuk ka arritur të tregojë se shkarkimi i tij ka sjellë pasoja të tjera negative, si refuzimi i punësimit në një pozicion të caktuar në shërbimin civil, apo pengimin për të kryer veprimtari si ekspert. Po ashtu, sillet në vëmendje se ai mund të punojë dhe si avokat. “Për rrjedhojë nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak të shkarkimit nga detyra të kërkuesit,” citohet në vendimin e GJEDNJ-së.

Pranë GJEDNJ-së janë depozituar edhe të tjera çështje nga gjyqtarë dhe prokurorë që janë larguar nga detyra për shkak të pocesit të vetingut, pjesa më e madhe e të cilëve janë rrëzuar.

Në rastin e ish-prokurorit Besnik Cani, GJEDNJ gjeti shkelje të konventës për sa i përket të drejtës për t’u gjykuar nga një gjykatë e krijuar me ligj, për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Luan Dacit si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ndërkohë, ish-prokurorja Antoneta Sevdari fitoi të drejtën e saj në GJEDNJ, pasi vendimi për shkarkimin e saj u gjet si masë disporporcionale kundrejt problemeve të vërejtura në pasurinë e krijuar nga bashkëshorti para martese. Megjithatë, u theksua se rasti i Sevdarit është i veçantë dhe nuk sugjeron ndonjë problem sistematik në procesit e vetingut./BIRN

About Redaksia

Check Also

Skandali/Veliaj i dha Ajolës rreth 97 mijë euro në vetëm 1 vit nga fondet e Bashkisë

Ola XAMA Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë Ajola Xoxa rezulton të jetë e punësuar …

Leave a Reply