Mbyllja e “Open Balkan” nuk i zgjidh problemet e rajonit të shqyer!

ENVER BYTYÇI

E nisën si “Minishengen” në vjeshtën e vitit 2019. Pas pak më shumë se një viti ia ndërruan emrin sipas propozimit të Sandrit të Sorosit miliarder dhe e quajtën “Open Ballkan”, pra I vunë nofkën e “Open Society” të vetë miliarderit në fjalë. Dhe vjen një ditë e njëri prej dy themeluesve, njëkohësisht mbrojtësit më të zellshëm të kësaj iniciative serbo-ruse, pra Edi Rama, deklaron se “Ballkani i Hapur nuk ekziston më”! Në Ohër, në Shkup, në Tiranë, madje dhe në Beograd kryeministri i Shqipërisë e kërcënonte Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për refuzimin që ata ia bënë Minishengenit dhe Open Balkan-it. “Do të na lusni e ne nuk do t’ju pranojmë”! “Ju jeni kundër paqes dhe integrimeve”! “Nuk kuptoj pse ju refuzoni, Ballkani i Hapur është për të gjithë”! “Do të izoloheni”! “Ne do të vazhdojmë edhe pa ju, kush të dojë le të vijë, kush mos të dojë le të rrijë në fatin e vet”! “Ballkani i Hapur është ideja më e shkëlqyer e të gjitha kohërave”!
Të gjitha këto i thoshte samit pas samiti kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Thoshte disa gjëra edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Por ato çfarë thoshte Vuçiç e Zaev ishin shumë më pak se artikulimet e Ramës dhe shumë më të moderuara se dhëmb-kërcitjet e kryeministrit të Shqipërisë. Në fund Open Ballkan u mbyll! Dhe në këtë Ballkanin e shyer për shkak të politikave të dominimit serb në rajon, nuk mund të rezistonte një nismë si kjo. Aq më tepër se Procesi i Berlinit ishte dhe mbeti një iniciativë e njëjtë me iniciativën Rama-Vuçiç-Zaev e njëkohësisht shumë më solide.
Zoti Rama në deklarimin e tij për mbylljen e Ballkanit të Hapur tha se ai e kreu misionin e tij. Se pse u investua kaq shumë kapital politik e më pak kapital financiar për këtë iniciativë serbe, askush nuk e mori vesh! Për ta mbyllur pas pak më shumë se tri vitesh?! Për ta zhbërë si më shkop magjik, madje siç duket pa u konsultuar as me partnerët themelues?! Kështu ndodh vetëm me autokratët. Vetë themelimi i Minishengenit apo Open Balkan ishte iniciativë autokratësh. Pa rregulla, pa statut, pa marrëveshje, pa traktat, pa një dokument ku të përcaktoheshin mënyrat e sjelljes. Një shoqatë jo qeveritare themelohet nga një asamble, ka një statut, ka një akt-themelimi e përcakton rregulla si të si hapet e si të mbyllet. Open Balkan-i ishte nën nivelin juridik të një OJQ-je. Prandaj u themelua nga tre liderë autortarë ballkanikë dhe u mbyll nga njëri prej tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!
Pse ndodhi kjo? Sepse Ballkani vazhdon të jetë një zonë europiane e shqyer, ku më i forti përpiqet ta shqyejë më të dobëtin! Ku agresori bën rolin e viktimës dhe viktima akuzohet për agresion! Ku arroganca fiton qytetarinë dhe qytetaria lihet në skutat e harresës! Ku mafia bashkëpunon me ndërkombëtarët dhe të pakorruptuarit konsiderohen destabilizues! Ku lobimi vlen më shumë se parimi dhe e drejta! Ku forca shitet për moral! Ku arsyeja konsiderohet naivitet! Ku logjika ka humbur sensin e saj! Ku drejtësia nuk shkon as deri te koncepti që shprehte para 4000 vitesh Kodi i Hamurabit! Prandaj dhe papritmas del një njeri i gjatë dhe i thotë të gjatit tjetër në Beograd, se “Ballkani i Hapur u mbyll”! Thotë edhe se “misioni i tij përfundoi”! Ndërkohë askush nuk e di se cili ishte ky mision!
Arroganca është tipari kryesor i kësaj iniciative dhe me arrogancë ajo u shua si të mos kish qenë kurrë e vërtetë! Ndërkohë arrogantët vazhdojnë të triblojnë në politikë si xhonglerë me bekimin e disa udhëheqësve, politikanëve dhe diplomatëve të vendeve më demokratike të botës. Aq sa të venë në diskutim e në dyshim sistemin e vlerave që demokracia bart. Ndoshta kjo është pasoja më e tmerrshme që popujt e Ballkanit po përjetojnë në këto kohë të mbrapshta.
Arroganca e autokratëve kleptokratë të Ballkanit, sidomos në Serbi e në Shqipëri është burimi I të gjitha konflikteve në rajon. E si për fatkeqësinë e këtyre popujve, janë pikërisht këta autokratë që përkrahen dhe mbështeten nga ata që kanë bërë emër si liderë me pikëpamje demokratike e humane në Europë e në SHBA, e sidomos nga “Open Society” e Sorosit! Dhe nëse analizojmë në thelb ngjarjet që zhvillohen në veri të Kosovës apo ato në Bosnjë-Hercegovinë, na rezulton se gjithçka ndodh, ka si shkak autoritarizmin politik të lidershipit serb të shoqëruar nga mbështetja e atij të Shqipërisë. Akoma më shumë: – Gjithçka buron nga lobimet dhe korrupsioni i këtij lidershipi të korruptuar në partneritet me diplomatë dhe politikanë perendimorë të lidhur me Sorosin famoz!
Ishte Kosova ajo që i qëndroi fort tundimit dhe presionit për të mos u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur! Prandaj dhe kjo vepër anti-shqiptare e Vuçiç-Rama-Zaev dështoi. Ishte politika shqiptare në Shqipëri e në rajon e përçarë rreth kësaj ideje. Prandaj dhe Edi Rama nuk mund ta vazhdonte më tej marrëzinë e tij të bashkëpunimit në këtë iniciativë me Serbinë. Ishte presioni i kancelarit, Olaf Scholz, që e zhbëri Open Balkan-in e famshëm të panaireve të verës. Sepse ajo iniciativë vinte edhe në kundrshtim me Procesin e Berlinit. Pra ishte përçarja brenda-shqiptare, brenda-rajonale dhe me Gjermaninë, ajo që e mbylli Ballkanin e Hapur! Nuk është arsyeja ajo që thotë Edi Rama se ai “e kreu misionin e tij”!
Megjithatë Ballkani edhe pas kësaj vazhdon të mbetet një Ballkan i shqyer, në të cilin ambiciet e Serbisë për hegjemoni e territore bëhen gjithnjë e më kërcënuese. Megjithatë mbyllja e Open Balkan nuk i zgjidh problemet e Ballkanit të shqyer!

About Redaksia

Check Also

Të gjithë janë të pakënaqur, por iu duhet një popull hua për të protestuar!

Nga Ilda ZHULALI Nis mengjesi, dhe dëgjoj me durimin sa mali Everest ankesat që të …

Leave a Reply