Prej kohësh dihej që pseudonimi i Arben Ahmetajt ishte ‘Tigri’. Por të dhënat e dosjes hetimore ndaj tij sugjerojnë se ky emër përdorej gjerësisht në komunikimet që ai kishte me biznesmenin Mirel Mërtiri.
Madje Ahmetaj angazhohej për suksesin e bizneseve të Mërtirit, përmes kontakteve me kryebashkiakët socialistë.
Marrëdhëniet mes Ahmetajt dhe Mërtirit dokumentohen përmes një telefoni të vjetër “Blackberry” të përdorur nga Ahmetaj, që hetuesit e kanë sekuestruar gjatë një kontrolli në shtëpinë e ish-bashkëshortes së tij. Hetuesit kanë rikuperuar 138 mesazhe telefonike të shkëmbyera mes Ahmetajt dhe Mërtirit, të cilat janë zhvilluar në periudhën korrik – tetor 2012.
“Nga komunikimet ndërmjet tyre, ndër të tjera rezulton se bashkëbiseduesit kanë një raport tepër miqësor, pasi në bisedat e tyre përdoren fjalët ‘O la (nënkupton o vëlla), Fratello, Tigre, I madh,” thuhet në dokumentet hetimore të SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Mirel Mërtiri, i njohur gjithashtu si Klodian Mërtiri, është pronari “de facto” i kompanisë Albtek Energy – e cila përfitoi një kontratë koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit në vitin 2014. Në dëshminë e tij përpara komisionit hetimor parlamentar, Ahmetaj i bëri bisht pyetjeve për marrëdhëniet e tij me Mërtirin.
Në një investigim të publikuar në shtator të vitit 2020, BIRN zbuloi se përpara se të niste biznesin e trajtimit të mbetjeve urbane, Mirel Mërtiri kishte lidhur kontrata për instalimin e matësave elektronikë të ujit me ndërmarrjet e Ujësjellësve në bashkitë e Fierit, Korçës, Beratit dhe Pogradecit.
Në vitet 2012-2014, projektet e matësve elektronikë të ujit u shtrinë në gjashtë qytete dhe u aplikuan nga kompanitë Integrated Technology Services, FMO dhe Miklo Construksion. Ato u kushtuan ndërmarrjeve të ujësjellësve më shumë se 18 milionë euro në total.
Mesazhet e sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme sugjerojnë se Ahmetaj, asokohe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, luante rol në suksesin e bizneseve të Mërtirit përmes kontakteve të tij me kryebashkiakët socialistë.
Në një mesazh të datës 13 shtator 2012, Ahmetaj i kërkon Baftjar Zeqos, asokohe kryetar i Bashkisë së Fierit një takim me të dhe me Mërtirin.
“I dashur, dua të ulemi këto ditë për kafe unë, ti dhe Klod Mërtiri,” citohet njëri prej mesazheve në dokumentet e Prokurorisë. Në 15 shtator, Ahmetaj e ka përsëritur kërkesën për takim me Zeqon dhe ka marrë një “OK” prej tij.
Roli i Ahmetajt në ecurinë e bizneseve të Mërtirit dokumentohet sipas Prokurorisë së Posaçme edhe në materialet e përfituara nga kompjuteri i Klodian Zotos, ku janë gjetur të ruajtura mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe Mërtirit.
Një mesazh i datës 14 qershor 2012 sugjeron se Ahmetaj mbahej në dijeni të një takimi mes Mërtirit dhe Fadil Nasufit – kryetar i bashkisë së Beratit për vitet 2003-2015.
“Mbarova punë, po nisem për në Tiranë. Kalofsh mirë,” i shkruan Mërtiri Ahmetajt. Ndërsa ky përgjigjet: “E di, më tha Nasufi”.
Mesazhet telefonike në duart e SPAK tregojnë se Ahmetaj vihej në dijeni për procedurat dhe vështirësitë me të cilat përballej Mërtiri, po aq sa edhe për sukseset e tij.
Më 30 maj 2012, në një komunikim me Mërtirin, Ahmetaj e pyet se çfarë u bë në QKR.
“Mbaroi me sukses. Urime PS Përmet,” i shkruan Mërtiri.