Kemi mafie dhe një “Tomaso Busceta”, por na mungon një prokuror…

Nga Gent STRAZIMIRI

Në një letër drejtuar opinionit publik, Arben Ahmetaj shpjegon se ai vetë është veç njëri prej atyre që nuk duan të bëhet drejtësi, dhe se është i vetmi që refuzon si drejtësi një “kokë turku”.

E refuzon sepse bëhet fjalë për “kokën” e tij.

Në një sms të shpërndarë nëpër media, ai deklaron se do të kthehet “kur Shqipëria të jetë një vend i lirë”, pasi vetëm atëhere do të ketë drejtësi.

Nga arratia, ai po dëshmon se lakrori ka shumë petë, se ai i zotëron, se SPAK i ka po ashtu, por drejtësi nuk do të bëhet sepse SPAK nuk po kërkon drejtësi por “kokë turku”.

Ai bën thirrje që të kthejmë vëmendjen tek dokumenti i botuar dje nga BIRN, ku rezulton se Erion Veliaj është iniciatori i gjithçkaje, dhe se Ahmetaj vetë e ka refuzuar 4 herë propozimin e tij.

Thotë dhe se dokumenti i publikuar nga BIRN, dëshmon se cili është mekanizmi i paligjshmërisë që nis me propozimin dhe insistimin e Erion Veliajt, pa e kaluar më parë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Thotë se qeveria ka aprovuar 17 VKM brenda ditës, pikërisht që kjo mega-aferë mafioze të realizohet.

Thotë edhe, se si zëvendëskryeministër ai nuk e ka patur fuqinë e pushtetin që të mbledhë vetë qeverinë…

Ai po dëshmon nga arratia se është viktimë e një organizate mafioze që drejton vendin, se vendi nuk ka më liri e kësisoj as drejtësi…

Arben Ahmetaj është ai që njohim, i të gjitha të zezave por, pikërisht për këtë shkak ai i njeh të gjitha të zezat, dhe kësisoj është i besueshëm si burim i dorës së parë.

Në këtë cilësi, ai është një “thesar” për çdo prokuror që dëshiron t’i shkojë deri në fund të vërtetës dhe të zbatojë ligjin.

Mirëpo SPAK refuzoi ta dëgjojë dhe ta shfrytëzojë si aset, si pikën mbështetëse për “levën e Arkimedit”.

Çdo vend ku ka mafie, herët a vonë prodhon një “Tomaso Busceta” që vendos të bashkëpunojë për të shpëtuar veten.

Kështu gradualisht fiton drejtësia kundër mafies, dmth krimit me fuqi politike e vendimmarrëse.

Si në Siçili në vitet 1980.

Ahmetaj po na dëshmon se drejtohemi nga mafia dhe se ai vetë nga drejtues e përfitues, është kthyer në viktimë e saj, njësoj si Tomaso Busceta, i pari mafioz i penduar në Siçilinë e viteve ’80…

Kështu që sot kemi zyrtarisht një mafie, kemi një “Tomaso Busceta”, por nuk jemi akoma as sa Siçilia 1980-ës …

Për të arritur atë standard, na mungon një prokuror…

About Redaksia

Check Also

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka ndryshuar emër…

Nga Alba KEPI Këshilli Bashkiak i Tiranês ka ndryshuar emër. Quhet “Drejtoria e Komunikimit pêr …

Leave a Reply