Thellohet drama e eksporteve! Bizneset shtojnë humbjet nga rënia e euros

Eksportet kanë vijuar rënien dyshifrore për të katërtin muaj radhazi në qershor, duke bërë që të thellohet tendenca tkurrëse për gjithë 6 mujorin, pavarësisht ecurisë pozitive në dy muajt e parë të vitit, teksa rënia e euros dhe çmimet më të lira të produkteve në bursat ndërkombëtare po thellojnë humbjet e eksportuesve.

Mineralet e lëndët djegëse, tekstilet e këpucët si dhe materialet e ndërtimit e metalet kanë ndikuar në këtë rënie në qershor, ndërsa me nivele më të ulëta janë tkurrur makineritë e pajisjet. I vetmi grup që ka shënuar rritje, duke amortizuar disi rënien e më të mëdhenjve është ai i ushqimeve, pijeve e duhanit. Madje, në qershor, ky i fundit ka kaluar për herë të parë në historinë e eksporteve në të dytin më të madh në vend, pas tekstileve e këpucëve.

Sipas INSTAT, në qershor 2023, eksportet e mallrave arritën vlerën 38 miliardë lekë, duke u ulur me -17,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,0%, në krahasim me Maj 2023. Kjo është rënia më e dytë e thellë me bazë vjetore, pas prillit (-19.3%).

Sipas INSTAT, Gjatë muajit Qershor 2023, në uljen e eksporteve prej -17,3%, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -9,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -4,4 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +4,6 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me -7,4%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,2 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,8 pikë përqindje.

Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%.

Fasoni bie ndjeshëm në qershor

Pas një përmirësimi në maj, eksportet e “Tekstile dhe këpucë”, iu rikthyen rënies në qershor. Sipas INSTAT, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 8.5% në qershor, duke zbritur në gati 11 miliardë lekë. Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë.

Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë rritja e pagës minimale që ka shtuar kostot e punës, tkurrja e kërkesës nga jashtë sidomos për këpucë (nga ndryshimi i motit, shitësit e pakicës kanë krijuar stoqe të mëdha), kriza ekonomike në Europë që ka ulur kërkesën si dhe zhvendosja e prodhuesve në Indi e vende të tjera të Azisë për shkak të kostove më të ulëta.

Për 6 mujorin, eksportet e këtij grupi ranë lehtë me 0.45%. “Tekstilet e këpucët” mbeten grupi më i madh në vend, me 29% të totalit.

Bien dhe mineralet e lëndët djegëse

“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 24% në qershor. Burime nga Bankers Petroleum thanë se ndonëse ata të gjithë prodhimin po e çojnë për eksport, rënia ka ardhur si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta të naftës.

Për 6 mujorin, tkurrja është 10%.

Ky grup vijon të mbetet i dyti më i madh në vend me 21.7% të totalit për 6 mujorin.

Materialet e ndërtimit dhe metalet në tkurrje të ndjeshme

Materialet e ndërtimit dhe metalet vijuan me tkurrjen e ndjeshme dhe në qershor, me -41.4%, duke pasur ecurinë më negative nga të gjitha grupet. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si rënia e çmimeve, por dhe frenimi i kërkesës.

Për 6 mujorin, ky grup u tkurr me 39%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.

Ky grup është i treti më i madh për 6 mujorin, me 17.9% të totalit.

Ushqimet, pijet dhe duhani ishin grupi i dytë më i madh në qershor

“Ushqimet, pijet dhe duhani” u rritën me vetëm 1.6% në prill (nga 18.2% në mars). Përfaqësuesit e sektorit thonë se janë ndikuar nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të motit të favorshëm, që ka rritur prodhimin.

Megjithatë në maj sektori iu rikthye rritjes së shpejtë, duke u zgjeruar me 24.6%. kjo tendencë ka vijuar edhe në qershor, kur ky grup ishte i vetmi që vijoi zgjerimin e fortë me 42.6%, duke kaluar për herë të parë këtë muaj në të dytin më të madh në vend, pas tekstileve e këpucëve, me 18.8% të totalit, teksa mineralet e materialet e ndërtimit ranë ndjeshëm, duke zvogëluar peshën e tyre në totali e eksporteve.

Për 6 mujorin, ky grup është zgjeruar me 20.7%, duke pasur ecurinë më të mirë, ndërsa mbetet i katërti më i madh me 13% të totalit, nga 10% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Industria automotive po ndien efektet e rënies së euros

Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore, duke u ndikuar nga zhvlerësimi i euros.

Megjithatë në maj, grupi iu rikthye rritjes, duke u zgjeruar me 10.5%. por, në qershor grupi shënoi sërish rënie, me 4.8%, si rrjedhojë e rënies së euros.

Për 6 mujorin grupi është rritur me 10%, teksa përbën 8.9% të totalit të eksporteve.

Rritet deficiti tregtar

Në Qershor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -17,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,0%, në krahasim me Maj 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 75 miliard lekë, duke u ulur me -7,5%, në krahasim me një vit më parë dhe me -6,8%, në krahasim me Maj 2023.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 37 miliard lekë, duke u rritur me 5,4%, krahasuar me Qershor 2022 dhe ulur me -9,6%, në krahasim me Maj 2023.

Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 234 miliard lekë, duke u ulur me -7,4%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 439 miliard lekë, duke u ulur me -1,6%, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 204 mld lekë, duke u rritur me 5,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Bien eksportet drejt Italisë, Greqisë e Spanjës

Sipas INSTAT, Në muajin Qershor 2023, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2022 janë: Italia (9,4%), Greqia (40,7%) dhe Spanja (47,9%).

Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Zvicra (34,8%), Kina (10,1%) dhe Ukraina (63,0%).

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,6%), Gjermania (30,3 %) dhe SHBA (57,8%). Ndërsa, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Spanja (67,0%), Greqia (16,1%) dhe Maqedonia (12,4%).

Në muajin Qershor 2023, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (6,4%), Kosova (46,5%) dhe Rusia (77,3%). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2022 janë: Kina (50,6 %), Gjermania (15,2%) dhe SHBA (48,8%).

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (18,4%), Greqia (11,9%) dhe Italia (3,8%). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (39,7%), Zvicra (103,1%) dhe SHBA (49,0%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,2%, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6%), Kina (9,0%), Turqia (7,2%) dhe Greqia (6,8%).

Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 59,3% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Qershor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,4% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,2 %), Kina (7,6%), Turqia (7,0%) dhe Greqia (6,8%)./MONITOR

About Redaksia

Check Also

Kurti, 42 km për 7.9 milionë euro, Rama 43 km për 400 milionë dollarë

Në një botë ku teknologjia përparon dhe kostot teorikisht ulen, Shqipëria vazhdon të shkëlqejë me …

Leave a Reply