Reportazh/ Bulqiza në një film të Ylli Pepos

Në dy orë të filmit dokumentar “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…” evidentohen resurset e shumta mbi e nëntokësore dhe historia e lavdishme e kësaj treve

Halil RAMA

  • Prof. dr. Gafur Muka, me modesti është shprehur në këtë film se nuk teprohet aspak kur thuhet se Bulqiza ishte një universitet i dytë për të gjithë kuadrot që punuan në minierë e gjeologji. “Në këtë universitet ishin të gjitha format e mësimdhënies: leksionet – përvoja e atyre që kishin shumë vite në minierë, seminaret – specifika e të dhënave që kërkonin zgjidhje, laboratorët – gjithë ambienti mbi – e nëntokë ku zhvillohej aktiviteti për kërkimin, zbulimin, hapjen dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe provimet – hartimi i projektprogrameve vjetore dhe mbrojtja e tyre para komisioneve teknike e shkencore. Kur largoheshe nga Bulqiza kishe vetëdijen e një profesionisti të çertifikuar dhe krenarinë e përballimit të sfidave që nuk përsëdytëshin”, thotë prof.Muka, i cili, personalisht ndjehet me fat që u përfshi në “armatën” e atyre që e bënë Bulqizën”
  • Në vijim të skenarit që përmban elementë të një eseje të gjatë letrare, në këtë film jepet Bulqiza ku banorët shkelin mbi nëntokën më të pasur në Europë për kromin që bart. Brenda skenarit është poezia e Martin Cukallës: “Thua Bulqizë, ke thënë krom“. Filmi evidenton kështu përmes pamjesh filmike, episdoesh e intervistash një nga trevat e Dibrës me histori të veçantë. E njohur për luftrat e saj  për liri e pavarësi të Shqipërisë. E njohur për thesaret e mineralit të kromit të fshehura në barkun e maleve…Më të larmishëm e bëjnë filmin edhe sinkronet e Ing. Bukurosh Koçit, ing. Gjergj Xekës,  specialisteve gjermanë etj, në gojën e të cilëve jepet gjithë dinamika e zhvillimit të minierës së Bulqizës dhe e gjithë kësaj treve lavdiplote…

Resurset e shumta mbi e nëntokësore të Bulqizës dhe historia e lavdishme e kësaj treve, kësaj here vijnë artistikisht për publikun nëpërmjet një filmi dokumentar. Gazetarja e njohur e Radio Tiranës, Suzana Zyrakja, autore e qindra emisioneve radiofonike, por edhe e mjaft dokumentarëve televizive shkroi skenarin nën kujdesin, konsulencën e ndihmën e pakursyer të poetit të mirënjohur Martin Cukalla, ish-drejtor i minierës më të madhe të kromit në vend. Edhe titulli i filmit vjen nga një varg poetik i Martinit: “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…”. Rrallë ndodh që një varg, i zgjedhur nga veprat poetike, të jetë titull filmi!

Por ai nuk mungoi as në sheshet e xhirimit, kur me regjisorin e mirënjohur Ylli Pepo, nuk kanë ngurruar që së bashku të nisin realizimin e filmit.

Dhe ja, mëngjezin e një dite të zakonshme vjeshte janë gjendur në një nga sheshet e qytetit minatorë mes dhjetra veteranëve, të ardhur nga të gjitha skajet, edhe nga pertej oqeanit. Është një takim brezash.

Kësisoj, Ylli Pepo, regjisor, gazetar, skenarist që ka realizuar suksesshëm një mori telereportazhezh e filmash dokumentarë, që ka xhiruar dhjetra filma për personalitetet dhe ngjarjet historike të shqiptarëve, kësaj here është përqëndruar në një zonë të paeksploruar. Dhe jo pa qëllim e nis filmin me të rënët në galeritë e nëntokës së Bulqizës. Që në fillim teleshikuesve do t‘ju duhet të fokusohen në një sallë, ku: ” …si një mjegull e bardhë, nga errësira e galerive, vijnë edhe të rënët në apelin qe hap takimin. Bujar Keta, Ismet Ymeri, Lavderim Lika, Mehmet Xhediku, Sadik Deda, Servet Islami, Lutfi Smeli, Skender Leka, Sakip Muça, Axhem Xhepa, Myftar Begu, Luan Hoxha, ….. Gjoka…..

S’jane 5 as 10 por plot 300 emra! Në apel përgjigjet shpirti i tyre. Ata mbeten aty, në galeri, gjatë disa dekadave.

300 minatorë, punëtore e specialistë. Në mbi 7 dekada të krijimit dhe shfrytëzimit të Minierës së Bulqizës, dhanë jetën në krye të detyrës.  Edhe pse llamba e karbitit iu shua në balle ata mbeten në gjirin e tokës si në legjendën shqiptare te murimit.

Ata u futën në gji të tokës për të nxjerrë thesaret e saj dhe mbeten aty si gurë themeli të forta për vazhdimesinë e minierës ndër vite… ”

Martin Cukalla që ka përjetuar dhimbshëm çastë të trishta të rënies dhe të lamtumirës së disa prej tyre, si një nga drejtorët më të suksesshëm të kësaj miniere, kurrësesi nuk mund ta niste ndryshe skenarin e këtij filmi, veçse me homazhin dhe nderimin e këtyre heronjve të nëntokës.

Ndërsa regjisori Pepo, si për ta kaluar sa më lehtë këtë moment të trishtë, përcjell nëpërmjet filmit muzikë…pamje nga Bulqiza…rrugët e saj…. Dhe si një nga ikonat e dokumentarit televiziv i jep filmit nuanca artistike ku përdoren mjeshtërisht dhe fotot me pamje nga natyra e Bulqizës… Një natyrë e virgjër që do të frymëzonte poetët, shkrimtarët, skenaristët e regjisorët më të famshëm të botë.

THUA BULQIZË, KE THËNË KROM…

Në vijim të skenarit që përmban elementë të një eseje të gjatë letrare, në këtë film jepet Bulqiza ku banorët shkelin mbi nëntokën më të pasur në Europë për kromin që bart. Brenda skenarit është poezia e Martin Cukallës: “Thua Bulqizë, ke thënë krom“. Filmi evidenton kështu përmes pamjesh filmike, episdoesh e intervistash një nga trevat e Dibrës me histori të veçantë. E njohur për luftrat e saj  për liri e pavarësi të Shqipërisë. E njohur për thesaret e mineralit të kromit të fshehura në barkun e maleve.

Gjithkush që do ta ndjekë këtë film do të magjepset nga dy portat hyrje e dalje: Ura e qytetit me Harqe dhe Qafa e Buallit…me Bulqizën që ka fusha të mëdha për prodhime bujqësore e blegtorale. Janë vërtetë bukuri mahnitëse ato të fushës së Gjoricës, Boçevës, Shupenzës dhe Okshtunit. “Hambari i Dibrës në brigjet e Drinit të Zi” janë cilësuar ato.

Ndërkohë skenaristit Cukalla kurrësesi nuk mund t‘i “shpëtonin” dy burime hidrike te fuqishme të kësaj treve: Zalli i Okshtunit në Lindje dhe ai i Bulqizës ne Perendim. Rezerva të mëdha hidrike këto, prej kohësh të njohura e të shfrytëzuara, pamjet e të cilave shfaqen me tërë madhështinë e tyre në këtë film.

Detaje prekëse në këtë film nga natyra që i ka falur Bulqizës pasuri të mëdha natyrore. Një terren mjaft mbrojtës, rrethuar me male, gjelbëruar nga lloje  drurësh si lisi, shkoza, panja,ahu. Male, liqene, miniera, pyje, pllaja e livadhe piktoreske, me shumëllojshmëri bimësh medicinale, si sherebela, dëllenja, qershija e egër etj. Burime natyrore, stane….Filmi paraqet një peisazh madhështor e të virgjër. E të mendosh për ata  që i mbijetojnë dimrit të acartë, që ulet këmbëkryq me muaj në këtë zonë, kur erërat e forta dhe bora i kalojnë kufijtë e normales.

BULQIZA KA HISTORINË E SAJ SI PJESË TË LAVDISË SHQIPTARE

Për të realizuar sa më artistikisht filmin, regjisori dhe operatorët në një moment janë ngjitur lart, në majë të malit të Duriçit. Që këtu krahina e Bulqizës duket si në pëllëmbë të dorës. Poshtë këtij mali fshihet thesari i nëntokës, minerali i kromit!

Ketu spikat dukshëm kamera e mrekullueshme e Drejtorir te talentuar te figurës Xhemal Reci.

Po. Siç e përshjkruan skenari, Bulqiza ka historinë e saj, si pjesë të lavdisë shqiptare. E kjo histori jepër madhërishëm në këtë film kur paraqitet Ura  me tre harqe që është një dëshmi ilirike. Banorët e Bulqizës ruajnë në memorien kolektive epopenë Skënderbejane. Ndaj dhe rrënqetthesh nga ilustrimi me betejat në Vajkal të Bulqizes në vitin 1465, kur Heroi ynë Kombëtar, Skenderbeu përballi fitimtar dy beteja kundër pushtuesve osmanë. Pjesë vitale e filmi është dhe Memoriali “GURËT E SK”NDERBEUT”, vepër e skulptorit të ri Edmond Balja. Memorial ky ndanë anës së Fushës së Vajkalit, i realizuar me mbështetjen e disa sipërmarrësve, bij të Bulqizes që në film pasqyrohet nëpërmjet kronikës së asaj dite të inagurimit.

Historia e minierës së kromit në Bulqizë, si një legjendë rrëfehet nga veteranët, kronikanë të gjallë të kësaj historie të jetuar. Si në përralla thuhet se zbulimi i kromit në minierën e Bulqizës u bë rastësisht gjatë kohës së pushtimit italian.

Në fillim të vitit 1948 qeveria shqiptare vendosi të fillojë punimet për nxjerrjen e mineralit të kromit në Bulqizë. Më 18 Shkurt 1948 erdhën tetë puntorë nga Rubiku me në krye Xhavit Hatibin dhe trembëdhjetë puntorë nga zona e Bulqizës. Ajo ishte dita e parë e punës.

Imazhe frymëzuese filmike improvizuese kur në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, në Ahishten e Madhe të malit të Duriçit jepet shpërthimi i parë i minave që thërmonin shkëmbin e gurit me xixa që shënonte dhe fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar në Bulqizë. Bashkëkohësit tregoinë se gjatë këtij viti u prodhua 10500 ton mineral kromi. Drejtori i parë i minerës ishte Jorgji Traja, kryeinxhinieri i parë i saj ishte Dhori Pano.

Ndër vite  prodhimi i kromit do zinte hapsira të reja e sektorë të rinj do hapeshin: Batra, Krasta; Thekna, Cerruja, Shkalla, Selishta..

Në kronikat e kohës përmenden emrat e minatoreve e specialistëve të parë, si: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola e të tjere. Janë këta heronjtë e parë që do të shtronin trasenë ku do të ecnin qindra e mijëra minatorë e specialistë të tjerë nder dekada.

Në film jepen imazhe të një shtegtimi nëpër nëntokë në mbi 100000 km pune minerare. Improvizime të realizuar mjaftë mirë artistikisht në film janë ato të atyre filllimeve të largëta si “pyetje në çdo rrefim historie”, kur minerali nxirrej në sipërfaqe me karroca dore. Specialistët tregojnë se vetëm pas 10 viteve, aty nga 1958-ta u arrit shfrytëzimi i minierës me galeri nënkati. E pastaj me radhë shfrytezimi i pusit 1…2…me tri nivele. Mjaft nga këto momente, si fletë ditari të kohës, na vinë nga kronikat filmike, që dikur shfaqeshin në kinematë dhe autokinematë e shumta që çonin filmin deri në skajet më të largëta të vendit. Dhe s’ka se si në këtë film të mos kujtohen me respekt drejtorët e atyre viteve: Sinan Xhemili, Ferit Alla, Sotir Dodona etj; inxhinieret: Andrea Xega, Niko Lula, Zija Çeliku, Vilson Myftiu etj;  minatorët: Kamber Duriçi, Hasan Jashari, Sali Shehu, Zef Bib Lleshi, Pjeter Reci, Kole Arapi, Kadri Suli, Veli Kola, Servet Islami, Lutfi Smeli, Fais Kaci, Islam Spahiu etj.; mekaniket: Encio Xhimitiku, Fahrudin Shehu, Edip Kaloshi, Ilia Kocaqi, Skender Keta, Shefqet Duriçi etj.

QYTETI I MINATORËVE NË VERILINDJE TË VENDIT,

MË I VARFËRI MBI NËNTOKËN E TIJ TË PASUR

Më të besueshëm e bëjnë filmin kronikat e kohës, nxjerrë nga arkivi i RTSH-së. Paraqiten në to zhvillimet të fundviteve 1960 dhe në fillim të viteve “70-të, kur  kjo minierë e ka renditur Shqipërinë në vendin e katërt në botë për sasinë e nxjerrjes së mineralit të kromit me cilësi të lartë për shkrirje. Atëhere deklarohej se miniera e kromit  Bulqizë jepte 32-37 përqind të të ardhurave kombëtare në shkallë vendi. Megjithatë Bulqiza, qyteti i minatorëve në verilindje të vendit mbetej e varfër mbi nëntokën e saj të pasur!

I ilustruar me kronikat e kohës me moton “Kromi çan bllokadën”, filmi sjell bindshëm në memorian e bashkëkohësve vitet 1980-1990, kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikale dhe 8 dishenteri. Është koha kur në krye të kantierit që ndërtoi këto punime të mëdha ishte burri nga Fushë Bulqiza Nazmi Perkola, një drejtues i talentuar, i lidhur ngushtë me vendin e vet. Nazmiu filloi punën në minierë që në vitin e parë të jetës së saj dhe aty u rrit si specialist e kuadër. Në minerë punoi për 42 vjet rresht deri sa doli në pension në vitin 1990. Në këtë film ai prezantohet si kuadri i papërtur, i lidhur nushtë me njerëzit e ballit të galerive, në krye të sakrificave, i zoti të zgjidhte problemet e shumta e të vështira që cfaqte nentoka. Nazmi Përkola gjithë jetën e vet në minerë mbeti porta ku trokiste minatori dhe fukaraja.

HARMONI UNIKALE NDËRMJET FORMËS DHE PËRMBAJTJES SË FILMIT

Në atë mori planesh filmike të ndërlidhura, të shoqëruara me zë apo jo, të cilat krijojnë efektin e lëvizjes, në harmoni unikale ndërmjet formës dhe përmbajtjes, padyshim shkelqen edhe montazhi I mjeshtrit te njohur Gjergji Pano, ku vend parësor zë  perkushtimi i njerezve  që e bënë minierën e Bulqizës të shenonte  vetem rritje…Dhe jo vetëm në prodhimin e mineralit të çmuar të kromit, por edhe në krijimin e instancave ndihmëse.

Në 120 minuta ( i ndarë në dy pjesë) momente kulmore të këtij filmi, shifra dhe fakte, shoqëruar me foto e dokumenta arkivore që të mbërthejnë pas ekranit për të mësuar ecurinë e tyre ndër vite. Kështu mësojmë se më 1950 u krijua bërthama e parë gjeologjike dhe se deri në vitin 1952 në Bulqizë kishte vetëm baraka ku strehoheshin punëtorët. Por pas këtij viti  u ndërtuan me radhë zyrat për ndërmarrjen e minierës së kromit, për ndërmarrjen gjeologjike, ndërmarrjen e furnizimit të punetoreve.

Nën një regji perfekte, operatorët e këtij filmi janë fokusuar në momentë të zgjerimit të qytetit te Bulqizës që ka ecur krahas me zgjerimin e punimeve minerare. Gjithashtu filmi evokon vështirësi të mëdha, terrene të thepisura malesh, pa rrugë normale, nëpër të cilat minatorët me krahë transportonin sondat, motorrat e pompat me pesha shumë të mëdha. Të thuash ndërgjegje e pastër punëtore, është kaq pak…i kalon tejskajshmerisht kufijtë e përkushtimit. Moment prekës, çasti kur kujtohen gjeollogët e talentuar e të sakrificës së madhe: Koço Gushi, Sefedin Qorlaze, Todi Sema etj., që me punë të pakursyer e mendime përgjithësuese të mbështetura shkencërisht, i dhanë hov shtimit të pandërprerë të rezervave të këtij minerali të dobishëm dhe i hapën krahë shfrytëzimit në mënyrë të vazhdueshme e deri më sot.

Nëpërmjet sinkroneve ish drejtues të minireës së Bulqizës tregojnë se kulmi ishte kur në vitet 1984 – 87′ miniera arriti të realizoje afro 500 mijë ton krom cdo vit, derisa punimet minerare  në ato vite arritën rekord mbi 40000 ml. Këto arritje do të shënonin bilancin optimal me mbi 15 milion ton krom që janë nxjerrë nga nëntoka e Bulqizës në afro 7 dekada  kohë…

PROFILE DREJTUESISH QË FRYMËZOJNË

Pa profilizimin e atyre që i dhanë jetë minierës më të madhe të kromit në vend, filmi do të ishte i mangët. Por skenaristi Cukalla dhe regjisori Pepo janë treguar tejet të vëmëndshëm në evidentimin dhe promovimin e tyre, duke na i paraqitur ata me foto e çaste të sinkronizuara në frontet e punës. Kështu, periudha me ritëm rritje veçanërisht të lartë për minierën e Bulqizës lidhet me një emër të veçante per Bulqizen: Bujar Pata kryeinxhinieri dhe drejtori i palodhur e i pakursyer në përpjekjet e veta për të zgjidhur cështjet e vështira që kishte nxjerrja e kromit. Djalë i një familje modeste nga Peladhia, Bujar Pata u formua inxhinier miniere në Universitetin e Tiranës dhe iu përkushtua profesionit të vet duke e njesuar jetën e tij me atë të minierës.

Miniera dhe njerëzit e saj. Në film tregohen histori njerëzore, heroike, të heshtura, të thjeshta deri në madhështi…

Inxhinier Todo Manço në vitin 1955 transferohet ne Bulqizë si kryeinxhinier i minierës.  Një ish partizan sypatrembur, i diplomuar në Poloni inxhinier miner, sakrifikoi gjithë jetën në ketë minierë. Në këtë film ai evidentohet si miku i minatorëve dhe i gjithë qytetarëve, balli i luftës kundër vështirësive të motit e rreziqeve të nëntokës, që me personalitetin dhe veprimatrinë e çmuar, u bë emblemë dhe frymezim për të gjithë inxhinierët e minierave të vendit!. “Ai  jetësoi punën e tij për kromin e markës shqiptare”, shprehen ndër kujtime ish punëtorët dhe koleget e tij të minierës. Ne respekt për këtë inxhinier – ikonë ndershmërie e përkushtimi ndaj punës,  miniera mban emrin e tij: “MINIERA E KROMIT,TODO MANÇO -Bulqizë”!

Të mirat dhe fajet thuhet se i mban mend ndërgjegja. Shpesh në jetë njerëzit harrojnë ato që thua, ato që ke bëre…por kurrë nuk harrojnë mënyrën se si i ke bërë të ndihen. Martin Cukalla edhe sot kur shkon në minierën e Bulqizës duket sikur dje është larguar prej saj. Në film jepen çaste se si ai rrethohet nga respekti e mirënjohja e njerëzve aty. Dhe kjo ështe lumturi. Në botë vijmë me asgjë, largohemi prej saj pa marrë asgje,   dhe i lumtur është ai që ka lënë një kujtim në mendjen dhe në zemrën e dikujt. Martin Cukalla është një tjetër drejtues i aftë e i drejtë që kerkonte të vërtetën.

Njerëzit e respektojnë, se ai gjithnjë i ka dashur dhe respektuar. Një buzëqeshje apo shtrëngim dore me njeriun e thjeshtë asgjë nuk na kushton, por atij që ia jep e lumturon, pa varfëruar atë që e jep.

Hamza Gurra është një nga inxhinierët që jetën e tij e ka të lidhur me minierën. Mbi 50 vjet ka jetuar në qytetin e vogël të Bulqizës. Pervoja profesionale, gadishmëria dhe ndërgjegja e tij në punë janë shembull i gjallë në kujtesën e njerëzve me të cilët ka punuar. Një shpirt i bukur artistik që, siç tregojnë shokët e tij, hynte  galerive të minierës me arie të Bethovenit, Vivaldit në gojë ..”Ti je artist” i thoshin shokët. -Artist je kur çdo punë e bën me pasion gjegjej ai”.

Fatmir Beqiri kujtohet si inxhinieri i vlerësuar për aftësitë e tij organizative e teknike, njeri që nuk përtonte e që ishte thuajse çdo çast në galeri e pranë minatorëve dhe i ndëshkuar padrejtësisht nga goditjet që vinin nga lart. Kurrë nuk u thye ai njeri, përkundër u ngrit  sërish e më i nderuar në krye të punëve e të sakrificave dhe meritoi respektin e kolegëve e të minatorëve në detyrat e ngarkuara si kryeinxhinier e drejtor i minierës veriore.

Artistikisht pasqyrohen në filmin “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…” edhe një brez i ri inxhinierësh që mbartën mbi shpatullat e tyre përgjegjësitë e mëdha të organizimit të punëve e të rritjes së pandërperë të nxjerrjes së kromit. Permenden këtu Shefqet Kllogjeri e Jani Pasko, Vehbi Musta e Fadil Cami, Gezim Dauti, Bukurosh Koçi e dhjetra të tjerë.

Prof. GAFUR MUKA: BULQIZA, NJË UNIVERSITET I DYTË PËR

TË GJITHË KUADROT QË PUNUAN NË MINIERË E GJEOLOGJI

Për ta sinkronizuar sa më mirë filmin, regjisori Pepo dhe konsulenti Cukalla, jo pa qëllim kanë zgjedhur opinionin e Prof.dr.Gafur Mukës. Kjo për faktin se ai që e ka nisur karrierën në galeritë e Bulqizës për të arritur deri në instancat më të larta si ish diplomat në Ambasadën e RSH në Bonn, Gjermani, Anëtar i Unionit Europian të Konsulencës (ECU). E.C.U. – European Consultants Unit, pedagog në Fakultetin Gjeologji Miniera dhe në UET, Departamenti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, autor i 5 teksteve mësimore dhe i mbi 40 referateve, artikujve e projekteve brenda e jashtë vendit, si dhe auutor i monografise “ Geo-Risk Maps for Management of Abandoned Mine Workings Exploitations”, Publisher: LAP LAMBERT Academic Publishing, Berlin, 2018.

         Prof.Muka, me modesti është shprehur në këtë film se nuk teprohet aspak kur thuhet se Bulqiza ishte një universitet i dytë për të gjithë kuadrot që punuan në minierë e gjeologji. “Në këtë universitet ishin të gjitha format e mësimdhënies: leksionet – përvoja e atyre që kishin shumë vite në minierë, seminaret – specifika e të dhënave që kërkonin zgjidhje, laboratorët – gjithë ambienti mbi – e nëntokë ku zhvillohej aktiviteti për kërkimin, zbulimin, hapjen dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe provimet – hartimi i projektprogrameve vjetore dhe mbrojtja e tyre para komisioneve teknike e shkencore. Kur largoheshe nga Bulqiza kishe vetëdijen e një profesionisti të çertifikuar dhe krenarinë e përballimit të sfidave që nuk përsëdytëshin”, thotë prof.Muka, i cili, personalisht ndjehet me fat që u përfshi në “armatën” e atyre që e bënë Bulqizën”.

      Më të larmishëm e bëjnë filmin edhe sinkronet eIng. Bukurosh Koçit, ing. Gjergj Xekës,  specialisteve gjermanë etj, në gojën e të cilëve jepet gjithë dinamika e zhvillimit të minierës së Bulqizës dhe e gjithë kësaj treve lavdiplote..

          Xhirimet e këtij dokumentari vijuan edhe në mjediset e shkollës së mesme profesionale Bulqizë ku u fol për ing.Osman Mihën-“Qytetar Nderi” i Bulqizës, ndër themeluesit dhe drejtuesit më jetëgjatë të kësaj shkolle që ka luajtur rol kryesor në aftësimin profesional të minatorëve e specialistëve. Përpjekjet në këtë fushë nisën që në vitin 1952-1953 kur u hap shkolla e mbrëmjes për punëtorët e Bulqizës. Kohë kur sapo ishin vendosur këtu dhe familjet e para të minatorëve. Në vitin 1970 u hap shkolla e mesme profesionale e ditës  me degën për teknikë miniere e më  pas u zgjerua  me degët gjeologji dhe shpim pusesh. Për veprimtarinë e gjatë të Osman Mihës, si në fushën e inxhinierisë, ashtu edhe në drejtimin e shkollës e mësimdhënie shembullore flasin me respekt, jo vetëm bashkohësit, por edhe më të rinjtë nga gjenerata e elitës bulqizake.

FAMILJA KOÇI, NJË NDËR ATO QË I KA DHËNË SHUMË MINIERËS

Për ta bërë sa më jetësor filmin, skenaristi Cukalla dhe regjisori Pepo kanë bërë pjesë të qënësishme të tij edhe Familjen Koçi të Bulqizës, një ndër familjet e këtij qyteti, apo të zonave përreth që i ka dhënë shumë minierës. Madje, po të bësh apel njerëzit e kësaj familjeje që kanë kontriubuar me vite e dekada në miniere…bëhen gati një brigadë e tëre.

Filmi tregon për Hasan Koçin që ishte njëri nga minatorët e prodhimit, i mirënjohur në gjithë minierën, për Qemalin dhe Dilaverin që shquheshin si minatorë të punimeve minerare. Po ashtu flitet për Hysenin që ishte gjithnjë i gatshëm të paraqitej ku të ishte nevoja: në prodhim apo punime minerare. Flitet edhe për Sabriun që  ka qenë brigadier. Të gjithë kanë dalë në pension si punëtore miniere.

         Ndërsa ISUF KOÇI, nuk harrohet kurrë. Në këtë film ai pasqyrohet me foto e pamje filmike si drejtori që drejtoi me zotësi dhe solli veç të mira për njerëzit si drejtues i bujqësisë dhe themelues i fermës në Fushë Bulqizë. Populli i Bulqizës e ka përjetësuar në memorin e tij Isufin. Edhe në këtë dokumentar, si edhe, në oda burrash, evente e takime, pohohet se djalë si Ai, nuk i vjen më Bulqizës. Po. Ai ishte dhe mbetet simboli i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale, mishërues dhe përçues i mençurisë dhe urtësisë dibrane. Këto virtyte e shoqëruan si kuadër dhe drejtues shembullor, qoftë në ish – kooperativën bujqësore dhe në Fermën e Fushë Bulqizës, të cilën e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm deri në fundin e sistemit monist. Filmi dokumentar i regjisorit Pepo sjell shembuj që kur drejtonte Isuf Koçi, kooperativa dhe ferma patën nivelin më të lartë të zhvillimit të të gjitha kohërave.

        Në atë shtëpi karakteristike dibrane, Hajdar Koçi prezantohet si një tjetër pjestar i familjes së madhe Koçi. Një shtegtar i veprave të ekonomisë shqiptare që ka punuar në hidrocentralet e para, si në atë të Selitës, Ulzës etj. Më pas filloi punën në minierën e Bulqizës si mekanik i minierës, përmbi 30 vite,  deri sa doli në pension.

Nga gjiri i kesaj familje tregohen në film dhe një skuadër djemsh e burrash të rinj në moshë, që punojnë në minierë apo në Fabrikën e Pasurimit të mineralit, si Hazizi, Ruzhdiu, Xhevahiri, Uka,  Inxhinier BUKUROSH KOÇI, që eshte sot sipërmarrës i Fabrikës së Pasurimit të kromit në Bulqizë. Është vërtetë impresionuese intevsita e tij në këtë film.

FABRIKA E PASURIMIT TË KROMIT, GJENERUESE E PRODHIMIT

Intervista me Bukurosh Koçin lidhur me ringjalljen e Fabrikës  së Pasurimit  të kromit, investimet e kryera, teknologjitë e avancuara që aplikohen, si dhe materialin që vetë fabrika prodhon zë vend të veçantë në filmin “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…”  të Ylli Pepos, Martin Cukallë e Suzana Zyrakës. Bukuroshi argumenton se nëse sasia e përgjithshme e mineralit të prodhuar në 75 vite i ka kapërcyer 15 milionë ton, (duke konsideruar vlerën e mineralit, me një çmim mesatar në vite prej 200 dollarë toni, rezulton një vlerë prej rreth 3 000 000 000 (3 miliard) dollarë), këtu një rol dominant ka patur dhe ka Fabrika e pasurimit si gjeneruese kryesore e prodhimit.

Por Ing.B.Koçi pohon se rënia e shpejtë e nivelit të prodhimti që filloi në vitin 1988, u thellua me ndrrimin e sitemeve. Nuk po shtoheshin më rezervat e mineralit të kromit, puntorët po iknin në emigracion, nivele të rinj prodhimi nuk po hapeshin. Zgjidhja u mendua tek dhënia me koncesion në investitorë të huaj, por prodhimi sërish nuk u ngrit, përkunder ra më poshtë. Pa punë mbeti edhe Fabrika e Bulqizës, e ndërtuar për pasurimin e kromeve të varfëra.  Fabrika e pasurimit të kromit e Bulqizës, e para e këtij lloji në vendin tonë, është vënë në punë në vitin 1973. Ajo përpunonte në koncentrate kromi pluhurat e mineralit të pasur dhe kromitet e varfëra.  Dhe ja: I mbeti vetëm emri!  Mall pa zot siç thuhet në këto raste. Gati një skelet -fabrike nga grabitjet e hekurit e makinerive”,-shprehet Ing.B.Koçi në intervistën për këtë film.

Në shtator të vitit 2001 inxhinieri bulqizak Bukurosh Koçi u tregua iniciator, i guximshëm, vizionar dhe shpresëmirë. Në kuadër të privatizimit plotësoi dokumentacionin e duhur, bindës për perspektivën dhe e privatizoi këtë objekt që i dhimbte në zemër tek e shikonte karakatinë. Se inxhinier Bukuroshi është rritur në mjedis familjar, ku miniera ishte jeta, kryebiseda e prindërve dhe të afërmve. Disa vite kishte punuar në këtë miniere, kështuqë përvoja e punës e ndihmoi për ta ringjallur shpejt fabrikën. Brenda vitit e vuri në funksionim. Punësoi mbi 80 punëtorë. Prodhimi u rrit. Nisi dërgimi i mineralit të përpunuar për eksport. Ringjallja e fabrikës zbuti varfërinë, mundësoi një mirëqënie normale në mbi 80 familje të zonës. Kështu inxhnier Bukurosh Koçi, i aftë, me vizion për perspektivat e fabrikës është sot ndër më të suksesshmit në zonën e Bulqizës dhe madje edhe në rang kombëtar.

Në intervistën për filmin “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…” ai flet për   ringjalljen e fabrikës së pasurimit të kromit, investimet e kryera, teknologjitë e avancuara që aplikohen, si dhe materialin që vetë fabrika prodhon.

T’ia nisesh nga e para. Por duhet të dish kur është momenti për t’ia nisur e çka është më me rëndësi të mos ndalesh nga vështirësitë. Ky është stili i punës, i metabolizuar në shpirtin kërkues dhe novator të inxhinier Bukurosh Koçit. Në bashkëpunim me një kompani tjetër, fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë iu bashkëngjit e privatizuar një ish fabrikë e vjetër e pasurimit të kromit në Gjakovë. E lënë në mëshirë të fatit. Me afro 1.5 milion Euro investime kjo fabrikë u riaktivizua. Në të përpunohen minerale të zonës kufitare, kryesisht të Hasit dhe Tropojës. Paisjet janë të standarteve bashkohore, suedeze dhe kineze. Investimet vazhdojnë në këtë fabrike. Staf e punonjës të kualifikuar. Paga të kenaqshme. Uke Koçi, inxhinier prodhimi në këtë fabrikë dhe punëtorë kosovarë që punojnë aty pohojnë në këtë film se investimet në sektorin e minierave po rriten si rruga e vetme që sheh biznesi privat për shtimin e prodhimit edhe pse shteti ende nuk po e gjen veten në zbulimin e rezervave të mineraleve që i shërbejnë fuqizimit të kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë.

Një moment tjetër emocionues në këtë fil është industria e kromit në Kukës, pothuajse e shuar prej vitesh, e shfrytëzuar në mënyrë të jashtligjshme dhe e degraduar nga makuteria, por që nga viti 2014 u gjallërua. Sërish sipërmarresi, inxhinier Bukurosh Koçi, në bashkëpunim me investitorë seriozë të huaj i kthyen sytë nga kjo minierë. Është një investim shqiptaro-austriako-suedez. Në fabrikë është instaluar teknologjia më moderne, e cila perdor një metodë  nga më të sukseshmet, që ka përparësi mbrojtjen e mjedisit. I gjithë uji i fabrikës shkon në qark të shkurtër. Nuk përdoret asnjë lloj kimikati dhe nuk ka rrjedhje.

“Nisi shfrytëzimi me kriter, me teknologji bashkohore për daljen në sipërfaqe të materialeve të fjetura. Miniera e kromit në Kalimash, sipas studimeve të kryera, ka rezerva industriale prej afro 1,23 milion ton krom!!! Investimet e kryera rezultojnë që  kapaciteti përpunues i fabrikës është afro 40000 ton në vit mineral i pasuruar dhe koncentrat kromi. Në këtë fabrikë, ku faza e parë e investimit kap vlerën prej 3,5 milionë euro, janë punësuar deri tani mbi 150 punonjës,-pohom Ing.Koçi.

NË FABRIKËN E E PASURIMIT TË KROMIT PUNOHET

DHE MENDOHET GJITHNJË PËR PERSPEKTIVËN

Në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë punohet dhe mendohet gjithnjë për perspektivën, përsosjen e standarteve. Investime të herëpasherëshme në reparte e paisje. Në filmin “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…” jepen çaste pune në laboratorë bashkëkohor  fiziko-kimik, që përpunojnë gjithë monstrat e lëndëve të para që futen në këte fabrikë (lëndët e para që futen në këtë fabrikë, por dhe monstrat  e prodhimit përfundimtar të saj, koncentratit të kromit). Çdo ditë, kamionë me “ARIN GRI” shkojnë drejt Portit të Durrësit. Vende të ndryshme të Europës e më gjerë vlerësojnë kromin e Bulqizës. Pasuri shqiptare që ndërkohe i sjell buxhetit të shtetit të ardhura të konsiderueshme.

Ing.Bukurosh Koçi, të cilit në vitin 1980 i refuzohej e drejta e studimeve të larta për “njolla në biografi” sot është ndër sipërmarrësit më të suksesshëm. Autori i disa studimeve të kryera për pasurimin dhe parapasurimin e mineraleve të kromit në zonën e Bulqizës, Batrës, Krastës, Tërrnovës, Kukësit, Tropojës, Hasit etj, si dhe bashkpunëtor në kryerjen e disa studimeve nga Instituti i Studimeve të Teknologjisë së Mineraleve, Tiranë; po ashtu autor dhe bashkautor i ndërtimit të disa Fabrikave e impianteve për pasurimin e mineralit të kromeve të varfëra, si dhe i disa rikonstruksione Fabrikash Pasurimi, ka ngritur e konsoliduar një Shoqëri nga e cila janë përpunuar dhe vazhdojnë të ripërpunohen mbi 2.5 milion ton sterile dambe, duke prodhuar koncentrat kromi për eksport.  Sot në këtë shoqëri që po mbush afro 23 vjet, punojnë rreth 100 punonjës të profesioneve teknologë, mekanikë, elektrike,  manovratorë e shoferë. Ai shprehet për përfshirjen më të gjerë të shoqërisë, jo vetëm në përpunim por dhe prodhim të lëndës së parë, qoftë dhe për kromite të varfëra, duke vërejtur se sasia e sterileve që mund të riciklohet po shkon drejt përfundimit, ndaj orientimit të ri të shoqërisë dhe drejt objekteve të reja të shfrytëzimit të kromit apo dhe kërkim-zbulimit të trupave të rinj minerare.

BULQIZA ME RESURSE TË SHUMTA TURISTIKE DHE NJERËZ TË FAMSHËM

Në filmin e regjisorit Pepo, Bulqiza nuk jepët vetëm si vendburimi kryesor i kromit, por edhe me atraksionet e shumta turistike. Sepse mjaftë njerëz guximtarë dhe me vizion duan te çojnë edhe ne udhën e turizmit, sidomos tani me avantazhet e rrugës së “Arbërit“, kur Bulqiza mund të konsiderohet si një lagje e Tiranës, duke ju afruar miqve dhe të huajve bukuritë natyrore, liqenet malorë të Dhoksit e Durricit, nga më të bukurit e Shqipërisë, pyjet me klimën e tyre të shëndeteshme, pishat përherë të gjelbërta, duke dashur t’ju krijojnë kushte sa më të mira për të kaluar ditë të paharruara.

Me plane dhe vizion ambicioz mbresëlënës prezantohet në film edhe një djalë i guximshëm i Bulqizës, që dëshiron të ngrejë një resort të bukur turistik buzë liqeneve.

Vend meritor ka në këtë film edhe Edmond Isaku,  i mirënjohur në Bulqizë, pasi ka hapur hotelin “Bulqiza”, një ndër më luksozët dhe më të rehatshmit në vend.

Këtu është edhe stacioni televiziv “TV Bulqiza”, për të cilin Mondi tregon një kujdes të veçantë. “TV Bulqiza” transmeton programe të bukur njohëse dhe historike për bashkëqytetarët, duke ju rritur dijet dhe dashurinë për vendlindjen e tyre.

Njerëz të shquar me famë në të gjithë botën, ka nxjerrë Bulqiza. Të tillë janë vellezërit Keta, këta kampionë botërorë në artet marciale, që realuzuesit e këtij filmi i gjetën në Mynih të Gjermanisë. Ata kanë hapur një shkollë të arteve marciale, ku njerëz të njohur e të rëndësishëm të jetës gjermane, vinë këtu rregullisht. Ata na tregojne:

Vëllezërit kampionë Ismail, Gjetan e Ferit Keta nuk i harrojnë kurrë rrënjët, Bulqizën e dashur me prindërit dhe gjyshin e shtrenjtë

Dhe ja në fund të filmit, përsëri takimi i brezave. Kujtime të njerëzve, që një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre e lidhën me minierën. Këto kujtime, apo librat me kujtime shkruar modestesisht, janë një testament shpirtëror që brezat e minatorëve i lenë njeri- tjetrit.

Kujtime të bukura, kujtime të dhimbshme e nderim për heronjtë që ndër vite dhanë jetën në minierë. Por ajo që dhemb edhe më shumë është  kur ndjehen të harruar  në indiferencën e kaosit të realitetit shqiptar, të qeverive shqiptare njëra pas tjetrës. Këta minatorë fisnikërisht kërkojnë të drejtën e tyre themelore, hartimin sa më shpejt të Ligjit për “STATUSIN E MINATORIT”. E drejta e tyre gati bërtet!

Indiferenca dhe korrupsioni, sado të mëdha nuk do mundet ta mbytin zërin minator. Ky zë mbetet peng i tyre… Ndaj edhe ky film është dëshmi se minatorët nuk e humbin shpresën. Shpresa, një fjalë që gjendet me ta në mëngjes, ndofta vritet nga shurdhëria gjatë ditës, por fatmirësisht rilind me agimin!. Edhe pse nëntokë, si në çdo gjë, drita e gjen rrugën!…

About Redaksia

Check Also

Administrata “Trump” do të rishqyrtojë “non gratën” për Berishën, takimet me stafin e tij

Ish-ministri Genc Pollo flet për situatën ku ndodhet opozita, rrugëdaljet, përndjekjen politike ndaj saj, mosbindjen …

Leave a Reply