Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë konfirmoi në një njoftim se janë pezulluar fondet që i jepen Shqipërisë për bujqësinë.
Reagimi vjen pas raportimeve se këto fonde janë pezulluar për shkak të korrupsionit.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.
Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.
Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar.