Nga Oerd BYLYKBASHI
Shprehja durrsake është paksa më ndryshe por me të njëjtin kuptim letrar. UKD, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Durrës paska falimentuar!
Ky është lajm i keq për durrsakët që ndër vite kanë paguar për ujë, kanë shpresuar se do t’u vijë ujë, e në vend të ujit në rubinet, u ka ardhur rregullisht poshtë derës fatura me çmime të rritura vazhdimisht.
Është lajm i keq sepse mund të përkeqësohet më tej gjendja e furnizimit me ujë mes hedhje-pritjesh transferimi kompetencash, apo gjetje faji “e ka ai, e ka ky”.
Falimenton ndërmarrja e ujësjellësit të qytetit të dytë më të madh në Republikë. Është skandal!
Në 2013 u mor nga qeveria e PD një hua prej 85 milion euro për ujësjellësin, por u tret në zbatim nga qeverisja e PS dhe ujë nuk ka. Pak muaj më parë u mor një hua tjetër prej 60 milion euro për UKD se gjoja do të rriste furnizimin me ujë. Debatova në komisionin e ligjeve për gjendjen skandaloze. Askush nga qeveria nuk tha që UKD po falimenton. Në fushatën e 14 majit ishte temë e fushatës keqadministrimi nga Bashkia Durrës e ujësjellësit.
Por UKD ngordhi në derë të bankës dhe sapo kaloi pragun e 14 majit, kur shërbeu si instrument për grabitjen e zgjedhjeve.
Audituesit drejtojnë gishtin nga Bashkia dhe menaxhimi i UKD për keqadministrim. Dy gjëra ka bërë me sukses pushteti socialist me UKD:
1- ka akumuluar borxhe pa fund duke falimentuar UKD;
2- ka mjelë UKD si lopë elektorale.
Në çdo fushatë, edhe më 14 maj 2023, PS e ka përdorur UKD për qindra punësime elektorale në këmbm të votës së familjeve të të punësuarve dhe kryerje investimesh si arnime sipas orientimit të patronazhistëve për të blerë votat e një rrugice apo lagjeje. Po të mos kishte zgjedhje nuk kishte investime/arnime.
Ja ku jemi sot. Përgjegjësia për këtë falimentim nuk është thjesht administrative për menaxhimin apo civile për borxhet dhe detyrimet. Është edhe penale, nqs ka prokurori, veçanërisht nëse falimentimi i ujësjellësit të qytetit të dytë më të madh ka qenë i qëllimshëm për të varrosur me një procedurë falimentimi zullumet qeverisjes socialiste, në kurriz të parave të durrsakëve që në vend të ujit marrin korrupsionin.