Ish-gardisti dhe shoferi i Lindita Nikollës, Martin Nikolli, i cili dhunoi dhe qëlloi në ajër me armë zjarri ndaj familjes Kaçi në Hamallaj, është lënë sot në burg.
Masa u dha nga Gjykata e Durrësit. E njëjta masë është dhënë dhe për vëllanë e tij, Alfred Nikolli. Vëllezërit Nikolli akuzohen për tre vepra penale, “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Burimet nga gjykata bëjnë me dije se ish-gardisti ka qëlluar në ajër me armën e tij të detyrës, por ky i fundit ka deklaruar se ka ndërhyrë për të shuar konfliktin.
Ish-gardisti Martin Nikolli, paraditen e të dielës të kaluar u përfshi në një konflikt të dhunshëm për motive pronësie me familjarët e fisit Kaçi dhe dëmtoi me sende të forta disa persona duke përdorur dhe armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ishte në detyrë.
Sherri dyshohet se nisi për një rrugë kalimi që shpeshherë ka shkaktuar përplasje mes dy familjeve. Pasi u përplasën fizikisht, Nikolli qëlloi me armë në ajër. Pas ngjarjes, ai u përjashtua nga radhët e Gardës.
Bashkë me ish-gardistin, policia njoftoi edhe arrestimin e të vëllait të tij, i cili po ashtu u përfshi në konflikt.