Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimeve dhe paraburgimit me 3 muaj për Alda Klosin.
Ndërkohë avokati i saj Arbër Hoxhaj në një deklaratë për mediat sqaroi detaje nga seanca, duke theksuar se e akuzuara nuk ishte e pranishme, por qëndrimi i saj është se nuk ka dyshime të arsyeshme dhe hetim konkret për 500 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e Rozeta Dobit.
“Alda Klosi nuk ishte prezent, ligji e lejon edhe vetëm praninë e avokatit. Vullneti i saj është që të rrëzohet kërkesa e prokurorisë.
Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim te arsyeshëm. Nuk ka dyshim të arsyeshëm dhe hetim konkret për origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e Rozeta Dobit”, tha avokati.
Sa i takon pretendimit të Alda Klosit se ka fëmijë të mitur dhe nënën e sëmurë, avokati u shpreh se për fëmijët e saj nuk po kujdeset askush.
“Nuk po kujdeset asnjë për fëmijët. Ajo është e divorcuar, ka dy fëmijë të mitur, nënën e ka të verbër. Djali i saj ka lënë edhe shkollën sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit. Duke para edhe interesin e fëmijës së mitur, masa e sigurimit duhet të ishte ndryshuar. Gjykata në kundërshtim me ligjin ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të zgjatur me tre muaj afatet e hetimit”, u shpreh avokati.