Nga Ola XAMA
Tony Blair është një zyrtar që do të ketë gjithnjë falenderime dhe respekt për atë që ka bërë për kombin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por pavarësisht kësaj, përdorimi i helikopterit të ushtrisë për ta transportuar në Himarë është shpërdorim i parasë publike.
Edhe pse protokolli ia lejon përdorimin për nevoja zyrtare edhe ish-krerëve të shtetit, ky veprim i mbështetur me taksat e vendit më të varfër në Europë nuk le shije të mirë. Mbi të gjitha nuk ka asnjë njoftim se ne çfarë roli dhe cili ishte qëllimi zyrtar i vizitës së tij, që të meritojë këtë shërbim.
Gjatë punës time kam hasur në ardhjen e shumë personaliteteve në detyrë apo ish-zyrtarëve të lartë, të cilët kanë udhëtuar si njerëz të thjeshtë. Edhe disa që kanë qenë pjesë e delegacioneve të rëndësishme, nuk kanë përdorur helikopterin as për rrugë të largëta.
Me sa duket, z.Blair ka ardhur në Shqipëri për pushime dhe kaq ka mjaftuar që ai të marrë shërbime speciale, të cilat as vendi i tij (për të cilin natyrshëm ka bërë më shumë se për kombin tonë), nuk ia jep.
Tony Blair është një qytetar i thjeshtë në Angli si gjithë të tjerët dhe pret radhën në dyqane e supermarkete. Në Shqipëri ai trajtohet ndryshe jo sepse po i shërben shqiptarëve, por sepse është miku i kryeministrit dhe po pushon me të. Pikërisht për këtë detyrë kaq me “vlerë” për vendin, atij nuk mund t’i prishin entuziazmin as 15 kilometrat gunga-gunga të rrugës Orikum-Dukat që po na kushtojnë 80 milion euro, as trafiku i turistëve gjatë këtyre ditëve.
Ato para që po përdoren për pushimet e tij mbase dhe nuk i hynin në xhep askujt, mbase vidheshin në ndonjë tender ose shkonin për ndonjë agjenci që pas ca vitesh shkrihej. Puna është që mesazhi që jepet për qytetarin që vuan e pret çdo ditë radhën në spitale, nuk ka para e mundësi të kurohet, duron vapën dhe trafikun kilometrik në rrugët e dështuara ku janë hedhur miliarda euro, është demoralizues. Ti nuk je asgjë i thuhet dhe nuk meriton asgjë.
“Si qen!” do të thoshte Jozef K. (personazh te “Proçesi” i Franc Kafkës).