Ina Zhupa publikon letrën e ish-kongresmenit DioGuardi për Butrintin

Ndjehem jashtëzakonisht mirënjohëse për punën e madhe për fuqizimin e mirëfilltë e të sinqertë të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe të përpjekjeve të fuqishme që ish-kongresmeni i SHBA, Joseph J. DioGuardi, aktualisht dhe President e Themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (“AACL”), po bën për mbrojtjen e pasurisë sonë me vlera të jashtëzakonshme universal, Parkut Kombëtar të Butrintit.

Së fundmi, ai i ka dërguar një letër Ndihmës Sekretares së Shtetit, Michelle J. Sison, ku unë Ina Zhupa, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Dr. Audrey Azoulay, jemi subjekte për dijeni të kësaj korrespondence.

Ish-kongresmeni shpreh entusiazmin për kthimin e SHBA në UNESCO, një vendimarrje që na lumturon të gjithëve, dhe sqaron se: “Veprimet e AADF-së i tejkalojnë së tepërmi caqet e mandatit ligjor të organizatës, dhe duhet të kufizohen. Siç mund ta dini, korporata mëmë e AADF-së, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, u themelua në vitin 1996 në zbatim të Ligjit “Mbështetja për Demokracinë në Evropën Lindore” të vitit 1989 (zakonisht i quajtur “Ligji SEED”). Siç thuhet shprehimisht në të, qëllimi i ligjit ishte të nxiste “zhvillimin e sektorit privat”, por jo të uzurponte menaxhimin dhe funksionimin e parkut kombëtar të një vendi tjetër sovran me mbështetjen e dyshimtë të palëve lokale me interesa personale.”
Po ashtu ai informon ndihmës sekretaren e shtetit Sison se: “Për t’i shtuar dëmit edhe fyerjen, AADF-ja po cenon seriozisht integritetin e Parkut Kombëtar të Butrintit, me fjalë të tjera, “tërësinë” dhe “paprekshmërinë” e tij, duke e ndarë dhe parcelizuar Butrintin, dhe duke marrë nën kontroll të plotë Parkun e paçmuar Arkeologjik, ndërsa pjesa tjetër e Parkut i është lënë strukturave aktuale të Shqipërisë. Në shkëmbim të gjithë kësaj, AADF-ja është zotuar të ndërtojë një qendër vizitorësh në Park. Të gjithë ne mund të imagjinojmë se si do të ndiheshim në SHBA nëse një fondacion i huaj do të ofronte ndërtimin e një qendre vizitorësh në Parkun Kombëtar Yellowstone në këmbim të marrjes përsipër të zotërimit, kontrollit, përdorimit dhe menaxhimit të plotë të këtij thesari kombëtar të SHBA-së.”

Pasi i bën me dije gjithë përpjekjet tona brenda shtetërore, si dhe gjithë përpjekjet e tij si njeri me njohje dhe me influencë në arenën ndërkombëtare, ai kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të saj duke shkruar se “do t’ju rekomandoja me respekt që ta adresoni këtë anomali të madhe në trajtimin e Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit nga AADF-ja, “një fondacion amerikan i financuar nga paratë publike”, duke udhëzuar USAID-in që të urdhërojë Bordin e Drejtorëve të AADF-së të ndalojë dhe të heqë dorë menjëherë nga përpjekjet e veta sistematike për të marrë përsipër zotërimin, kontrollin, përdorimin dhe menaxhimin e Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipërinë e Jugut.”

𝙋𝙚̈𝙧 𝙢𝙚̈ 𝙩𝙚𝙥𝙚̈𝙧 𝙩𝙚𝙠𝙨𝙩𝙞𝙣 𝙚 𝙥𝙡𝙤𝙩𝙚̈ 𝙩𝙚̈ 𝙡𝙚𝙩𝙧𝙚̈𝙨 𝙣𝙚̈ 𝙨𝙝𝙦𝙞𝙥, 𝙜𝙟𝙞𝙩𝙝𝙖𝙨𝙝𝙩𝙪 𝙣𝙚̈ 𝙛𝙤𝙩𝙤 𝙡𝙚𝙩𝙧𝙖 𝙤𝙧𝙞𝙜𝙟𝙞𝙣𝙖𝙡𝙚 𝙣𝙚̈ 𝙖𝙣𝙜𝙡𝙞𝙨𝙝𝙩 𝙙𝙝𝙚 𝙡𝙚𝙩𝙧𝙖 𝙚 𝙥𝙚̈𝙧𝙠𝙩𝙝𝙮𝙚𝙧 𝙣𝙚̈ 𝙨𝙝𝙦𝙞𝙥.

Hon. Michele J. Sison
Assistant Secretary
Bureau of International Organization Affairs (IO)
United States Department of State
Washington, D.C.
Tel: 202-647-9600

11 gusht 2023

Ref: Kthimi në UNESCO i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe probleme serioze të pajtueshmërisë për Pasurinë e Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipëri, të shkaktuara nga një entitet amerikan

E nderuar ndihmës Sekretare e Shtetit Sison,

Ju shkruan Joseph J. DioGuardi. Jam ish-kongresmen i SHBA-së dhe President e Themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (“AACL”), organizatë jofitimprurëse që i është përkushtuar forcimit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Ju përgëzoj fort për vendimin e kthimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në UNESCO. Kjo është padyshim një arritje historike e administratës së Presidentit Biden dhe, siç deklaroi Drejtoresha e Përgjithshëm e UNESCO-s, Dr. Audrey Azoulay, “me këtë kthim, UNESCO do të jetë në një pozicion edhe më të fortë për të kryer misionin e vet”.

Kthimi në UNESCO i SHBA-së-së është veçanërisht i rëndësishëm edhe për një vend si Shqipëria, ku një fondacion me bazë në SHBA, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (“AADF”) është përpjekur që të marrë përsipër zotërimin, kontrollin, menaxhimin dhe përdorimin e Butrintit, një park kombëtar, i regjistruar qysh nga viti 1992 si Pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për Vlerat e Jashtëzakonshme Universale që ka. Veprimet e AADF-së i tejkalojnë së tepërmi caqet e mandatit ligjor të organizatës, dhe duhet të kufizohen.

Siç mund ta dini, korporata mëmë e AADF-së, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, u themelua në vitin 1996 në zbatim të Ligjit “Mbështetja për Demokracinë në Evropën Lindore” të vitit 1989 (zakonisht i quajtur “Ligji SEED”). Siç thuhet shprehimisht në të, qëllimi i ligjit ishte të nxiste “zhvillimin e sektorit privat”, por jo të uzurponte menaxhimin dhe funksionimin e parkut kombëtar të një vendi tjetër sovran me mbështetjen e dyshimtë të palëve lokale me interesa personale.

Veprimet e padëshiruara të AADF-së për Butrintin kanë ndezur polemika të mëdha në Shqipëri dhe, në vend që të rrisin reputacionin e SHBA-së për bujarinë tonë, kanë nxitur dyshime dhe zhgënjim. Për më tepër, veprimet e AADF-së jo vetëm që shkelin ligjet dhe politikat e SHBA-së, por ato bien në kundërshtim të drejtpërdrejt me Konventën e UNESCO-s të vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore (“Konventa e Parisit”) në lidhje me sovranitetin e Shteteve Palë.

Sikurse e dini, këtu në SHBA është pikërisht Shërbimi ynë shtetëror i Parqeve Kombëtare që ushtron ekskluzivisht detyrën për të ruajtur, mbrojtur, menaxhuar, përdorur dhe kontrolluar parqet tona kombëtare që janë gjithashtu Pasuri të Trashëgimisë Botërore. Modeli ynë ka frymëzuar fuqimisht modelin e Konventës së Parisit, ku detyrën për të identifikuar, mbrojtur, ruajtur, paraqitur dhe trashëguar për brezat e ardhshëm Pasuritë e Trashëgimisë Botërore e ushtrojnë “kryesisht” Shtetet Palë. Megjithatë, duke abuzuar me prestigjin dhe reputacionin e Shteteve të Bashkuara, AADF-ja ka ushtruar presion ndaj qeverisë shqiptare për të marrë përsipër zotërimin, kontrollin, menaxhimin dhe përdorimin e Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të Butrintit.

Për t’i shtuar dëmit edhe fyerjen, AADF-ja po cenon seriozisht integritetin e Parkut Kombëtar të Butrintit, me fjalë të tjera, “tërësinë” dhe “paprekshmërinë” e tij, duke e ndarë dhe parcelizuar Butrintin, dhe duke marrë nën kontroll të plotë Parkun e paçmuar Arkeologjik, ndërsa pjesa tjetër e Parkut i është lënë strukturave aktuale të Shqipërisë. Në shkëmbim të gjithë kësaj, AADF-ja është zotuar të ndërtojë një qendër vizitorësh në Park. Të gjithë ne mund të imagjinojmë se si do të ndiheshim në SHBA nëse një fondacion i huaj do të ofronte ndërtimin e një qendre vizitorësh në Parkun Kombëtar Yellowstone në këmbim të marrjes përsipër të zotërimit, kontrollit, përdorimit dhe menaxhimit të plotë të këtij thesari kombëtar të SHBA-së.

Natyrisht, këto veprime kanë hasur në rezistencë të ashpër në Shqipëri. Për shembull, Presidenti i vendit vuri veton dhe e ktheu mbrapsht ligjin që i mundësonte AADF-së të menaxhojë Butrintin; Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Ina Zhupa, përfaqësuese e Sarandës ku ndodhet Butrinti, ka ndërmarrë nismën për ndryshime legjislative që do të mbyllnin çdo hapësire ligjore që lejon të tilla veprime; kurse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht po e shqyrton çështjen.

Për ta përmbledhur, si pasojë e veprimeve të AADF-së dhe drejtuesve të saj konstatohen shkelje serioze të të drejtave dhe detyrimeve sovrane të një Shteti Palë sipas neneve 4, 5, 6, 17 dhe 29 të Konventës së Parisit. Unë tashmë i kam ngritur këto shqetësime tek USAID-i, i cili ushtron autoritet mbikëqyrës mbi AADF-në, por fatkeqësisht Selia Qendrore e USAID-it nuk ka arritur deri më tani të ndërhyjë.

Më duhet të them se UNESCO ka ngritur vazhdimisht shqetësime serioze tek qeveria shqiptare, duke i kërkuar asaj të përcaktojë autoritetin qeveritar përgjegjës për Pasurinë e Trashëgimisë Botërore të Butrintit, në përputhje me Konventën e Parisit, që natyrisht do të ishte Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Qeveria e Edi Ramës i është përgjigjur UNESCO-s duke sugjeruar “një organizëm ndërministror, nën varësinë e zyrës së kryeministrit” ku AADF-ja, përmes “fondacionit të ri të dedikuar”, bëhet pjesë integrale e këtij organizmi, sepse vendoset në të njëjtin nivel me ministritë e tjera të qeverisë, si Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, etj. Unë nuk besoj se, kur Kongresi i SHBA-së miratoi Ligjin SEED dhe financoi Fondet e Ndërmarrjeve në përmbushje të synimeve të atij Ligji, të ketë pasur si qëllim lejimin e një ndërhyrjeje të tillë të paprecedentë nga një entitet amerikan në funksionet sovrane të një shteti të huaj, apo bashkëpunimin mashtrues të tij me fraksione të qeverisë së atij vendi. Thjesht sugjerimi se AADF-ja do të mund të merrte rol në nivel të një ministrie në Qeverinë e Shqipërisë ngre shqetësime serioze të politikës së jashtme të SHBA-së, të cilat nuk mund të shpërfillen. Më tej, një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 7 të Konventës së Parisit, që përcakton “mbrojtjen ndërkombëtare” të pasurive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore.

Ndërsa jemi shumë të emocionuar që Shtetet e Bashkuara u bënë përsëri anëtare aktive e UNESCO-s, do t’ju rekomandoja me respekt që ta adresoni këtë anomali të madhe në trajtimin e Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit nga AADF-ja, “një fondacion amerikan i financuar nga paratë publike”, duke udhëzuar USAID-in që të urdhërojë Bordin e Drejtorëve të AADF-së të ndalojë dhe të heqë dorë menjëherë nga përpjekjet e veta sistematike për të marrë përsipër zotërimin, kontrollin, përdorimin dhe menaxhimin e Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipërinë e Jugut.

Me respekt

Joseph J. DioGuardi
/nënshkrimi/

Për dijeni:

Hon. Dr. Audrey Azoulay
Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s

Hon. Ina K. Zhupa
Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

https://www.facebook.com/100044463488193/posts/pfbid02m11VrR4ua4CKFJZBVzpeeGF9xuybbUATeiQcWsZg2SuEHkcX1X4ASXLFan3B8LL5l/?d=w&mibextid=qC1gEa

About Redaksia

Check Also

Bardeli: Rritja e çmimit të ujit duhet të ndalet menjëherë! Shkodra nuk ua ka për borxh!

Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli ka reaguar gjatë ditës së sotme në një deklaratë për …

Leave a Reply