Nga Sali BERISHA
Të dashur miq, i pyetur dje nga gazetarët nëse do të takohet në Bled me kryeministrin e Kosovës, Rama i nervozuar u përgjigj:
‘Qëndrimet e mia janë qëndrimet e mia, qëndrimet e Albinit janë qëndrimet e Albinit. Albini është sovran në detyrën e tij, unë jam sovran në të drejtën time për të pasur qëndrimet e mia. Kaq!,
E vërteta është se Rama gënjeju mbasi ai vetëm sovran nuk është, por është thjesht një argat mjeran i Aleksandër Vuçiç dhe jo vetëm kaq!
Rama në Bled shkon si sovran i menderosur, mbasi ai shkon aty si i vetmi kryeministër që mbështeti pas ardhjes së tij në pushtet çdo nismë serbomadhe dhe antishqiptare të padronit të tij Vuçiç duke filluar nga ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës, te Ballkani Serborus i Hapur, projekt antieuropian, tek fjalimet e tij kundër kërkesave dhe insistimit të NATO-s dhe BE-së për respektimin nga Serbia të sanksioneve të tyre të vendosura ndaj Rusisë. Rama argat i Vuçiçit ishte i vetmi kryeministër që kalonte nga samiti në samit me tezën se Serbia nuk mund të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë ndaj dhe është gabim t’i kërkohet Vuçiçi-it zbatimi i tyre. Sipas tij Serbia duhet te pranohet si Rusi e vogël prapavijë e Rusisë së madhe në Ballkan.
Rama shkon në Bled si sovran i menderosur sepse ai në një akt të pashembullt antikombëtar, me urdhër të Aleksandër Vuçiç, i futi thikën pas shpine Kosovës, aplikoi i pari sanksionet ndaj saj, anulloi mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë dhe ndërmori turin Ballkanik anti-Kurt, anti-Kosovë që ju përmbys tërësisht dhe ju kthye në boomerang poshtërues ndaj tij.
Rama shkon në Bled si Sovran i menderosur deri në fyt sepse duke besuar se do bëhej violinë e parë në zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm se kishte autorizmin e padronit të tij Vuçiç shkruajti si euroatlantist i madh letra të mëdhenjve të Europës me propozime konkrete të pakërkuara nga njeri përveç padronit të tij Vuçiç lidhur me statusin e shoqatës së komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilat përfunduan në koshin e satirës dhe humorit diplomatik. Madje në përpjekjen e tij për të marrë rol ndërkombëtar në krizën e Kosovës dhe Serbisë, Rama u nis të vendosë vetullat dhe nxorri sytë, mbasi i provoi komunitetit ndërkombëtar se ai nuk ka vlerë dhe se përveç Vuçiçit, Ramën në rajon nuk e pyet njeri.
Rama shkon në Bled si sovran i menderosur deri në gojë, mbasi është i vetmi pjesëmarrës që ulet në atë forum si kryeministër në hetim penal nga Gjykata e Washingtonit, për një skandal të madh ndërkombëtar, aferën McGonigal apo korruptimin nga ana e tij të shefit të kundërzbulimit të FBI për New York dhe angazhimin e tij gjatë kohës që ishte në detyrë në manipulim të dosjeve dhe luftën kundër kundërshtarëve politik në vend.
Së fundmi, Rama shkon ne Bled si sovran i menderosur deri në dhëmbë sepse me farsën elektorale ai provoi qartë dhe fatalisht se sovraniteti i tij është kallp dhe i rremë dhe se ai qëndron mbi vjedhjet e shekullit, drogën dhe krimin dhe se ai nuk është gjë tjetër veçse kryetar i një organizate kriminale në Shqipëri.