Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, opozita i ka të gjitha mundësitë të jetë e suksesshme në misionin e saj dhe të sjellë ndryshimin. Meta tha se skandalet që po bëhen publike për këtë qeveri, hetimet, ndryshimet që bëhen në qeverisje, janë fryt i denoncimeve të pareshtura të opozitës.
“Edhe rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian tregoi qartë se parlamenti nuk funksionon më si një forum demokrat dhe llogaridhënës. Por mos harroni se gjithë këto skandale, gjithë këto ndryshime qeveris, këto probleme janë ngritur nga opozita dhe ajo, duke i bashkuar forcat e saj, absolutisht që ika të gjitha mundësitë që të jetë e suksesshme dhe shumë shpejt të garantojë një ndryshim të forte”, tha Meta për gazetarët.
Pyetje: Ju ishit në një aktivitet sot ku u publikuar” libri i zi” për krimet elektorale të 14 majit. Sipas jush, opozita duhet të mbajë vëmendjen dhe fokusin e saj vetëm me denoncimin e këtyre krimeve zgjedhore por dhe të gjekë edhe tej vetja përgjegjësi?
Ilir Meta: Padyshim që opozita i ka pasur dhe i ka të gjitha mundësitë që të jetë më e unifikuar, më e bashkuar, të jetë më e organizuar, por në fund të fundit nuk besoj se ka mbetur shqiptar që nuk e di se këtu i gjithë shteti është organizuar që në katër vjet të punojë vetëm për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve ditën e votimeve.
Të gjithë shqiptarët e dinë që secili prej tyre e ka një patronazhist dhe të gjithë e ndiejnë presionin, intimidimin, kontrollin e jetës së tyre private, ekonomike, shoqërore dhe absolutisht pavarësisht nga të gjitha problemet që opozita ka dhe duhet të reflektojë, një pjesë e madhe e cila përsëri është si rezultat i metodave diversive, subversive që përdor regjimi i cili përdor shtetin edhe kundër opozitës, edhe për diversione brenda saj. Padyshim në të gjitha rastet asgjë nuk mund të errësojë faktin se kemi të bëjmë me një kriminalizim kapital të shtetit dhe dihet se ku është kreu.
Pyetje: Çfarë pritshmërish keni për Kukësin duke përmendur edhe këto metoda që ju sapo i thatë?
Ilir Meta: Urojmë më të mirën dhe shpresojmë që qytetarët e Kukësit të japin një mesazh të qartë të dinjitetit dhe të reflektimit për ndryshim.