Nuk është koha për eksperimente, nuk është koha për të parë në aksion elementë të rinj, por është momenti për të marrë rezultat. Askush nuk dëshiron që përfundimi të jetë i njëjtë, ku mjaftohemi me shprehjen luajtëm mirë, por nuk kishim fat, ndaj Republikës Çeke diskutimi është ndryshe, këtë herë mjafton edhe një ndeshje e “pisët”, jo e mirë, por që përfundimi të jetë ndryshe, të marrim rezultat. Ashtu siç u shpreh Sylvinho, nëse nuk fitojmë dot, mjafton të mos humbasim, ky do të ishte një përfundim që i shkon përshtat Shqipërisë, duke parë edhe situatën që ndodhet Grupi E.
Pavarësisht se në këtë grumbullim kemi disa elementë të rinj, nuk pritet që Sylvinho të ndryshojë shumë në raport me dy ndeshjet e fundit, pritet t’i besojë po të njëjtët lojtarëve që dolën me 6 pikë kundër Moldavisë dhe Ishujve Farore. Në portë Berisha është i sigurt, është rikthyer të luajë, për më tepër kundër Juves priti dhe penallti.
Dilema e vetme ka të bëjë me krahët, ku pritet të lërë në stol Balliun për t’i bërë vend Hysajt në të djathtë pasi Mitaj duket i paprekshëm në të majtë. Nuk ndryshon as qendra e mbrojtjes me dyshen Gjimshiti-Ismajli. Në mesfushë kishte jo pak dilema, por Sylvinho pritet ti besojë të njëjtëve lojtarë si ndaj Ishujve Farore, Bajrami-Ramadani dhe Kristjan Asllani.
Nëse nuk ka ndryshime në momentet e fundit, edhe sulmi mbetet i njëjtë, i formuar nga treshja, Seferi, Cikalleshi dhe Jasir Asani. Ky është një perceptim i krijuar nga seancat e fundit stërvitore, por Sylvinho ka vërtetuar se në fund mund të ndryshojë, fundja trajneri ka në dispozicion një grup të plotë dhe me shumë cilësi.