Enver BYTYÇI
Nuk do të flas për Emri Vatën si autoritet politik. As si ekspert i sigurisë kombëtare! Nuk dua të përmend asgjë nga veprimtaria e tij në detyra të shumta, sidomos në çeshtjet e sigurisë dhe të rendit në Shqipëri! Të gjitha këto mund ti thonë shumë më mirë sesa unë bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ai ka ndarë përgjegjësinë, sukseset dhe dështimet e veta.
Të gjithë njerëzit në këtë botë janë unikë. Kanë cilësitë e karakteristikat e tyre! Janë unikë, sepse asnjëri nuk ngjan plotësisht me tjetrin. Edhe në këtë aspekt nuk dua të merrem me tiparet e përgjithshme dhe karakteristikat e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Kukësit, Emri Vata. As bindjet e tij politike nuk përbëjnë për mua objekt vëmendjeje. Në fund të fundit bindjet politike të zotit Vata i kanë me mijëra demokratë.
Dikush do të donte që kandidatin demokrat për kryetar Bashkie në kryeqendrën e qarkut Kukës ta asocojmë me lideri historik dhe aktual të demokratëve. Ai e respekton dhe nderon me shumë zemër Sali Berishën. Por ndryshimi si njerëz, si poltikanë është i dukshëm. Sigurisht që lideri i demokratëve ka karakterstikat e liderit dhe Emri Vata është larg të qenit lider. Liderët janë sa gjysma e gishtave të njërës dorë. Por Emri Vata është risi në plejadën politike të sotme jo vetëm për Kukësin, por në shkallë vendi.
Nëse i bën një vërejtje ai skuqet! Sepse e ndjen që duhet të jetë më i përsosur në sjelljet dhe veprimtarinë e tij publike. Pleqtë na thoshin “kujdes nga njerëzit që as nuk skuqen, as nuk zverdhen”! Pse kujdes? Sepse këta njerëz janë mashtrues! Janë intrigantë. E për pasojë edhe hajdutë, të korruptueshëm dhe të pacipë. Ai që nuk skuqet e nuk zverdhet i bën të gjitha, sepse nuk ka turp! Fatkeqësisht Shqipërinë e drejtojnë të paturpshmit, të pacipët! Emri Vata duhet votuar edhe për faktin se ai skuqet kur gabon. Që do të thotë se nuk gabon dy herë!
Ata që e njohin, e dinë se Emri Vatës i rëndon në shpirt dhimbja e tjetrit. Eshtë njeriu që ndjen vuajtje kur vuajnë të dobëtit e të pambrojturit. Mund të duket si një predikim fetar e madje edhe i karakterisikës së të majtës ky tipar i tij. Por e majta vetëm propagandën dhe programin e ka si mashtrim për kujdesin social ose ndihmën ndaj të vobektëve dhe të të pambrojturve. Emri Vatës i buron nga shpirti dhe tradita nevoja për të ndihëmuar e për t[u kujdesur për këto kategori njerëzish. Ndërkohë që nuk kompleksohet nga kjo karakteristikë e tij e dallueshme dhe e munguar në shumicën e plotikanëve tanë në Shqipëri.
Fatmirësisht Emri Vata i përket një formacioni politik, i cili më shumë se çdo parti tjetër, ka dëshmuar se përkushtohet për drejtësi dhe integritet. Ndaj dhe ai nuk është rastësisht pjesë e atij formacioni. Megjithatë nuk kam ndërmend të kërkoj votën për Emri Vatën thjesht për shkak të përfaqësimit të tij politik. Emri i tij shkon përtej Partisë Demokratike, përtej demokratëve. Karakteristikat e tij prekin një masë gjigande njerëzish që ëndërrojnë dhe shpresojnë në produktin e punës së një politikani. Pikërisht për këtë masë gjigande e kam fjalën.
Ka qenë zakon në Kukës që kur zinin nusen, pyesnin për familjen, për rrënjët e saj, e deri për dajot dhe miqtë e shumtë. Familja e Emri Vatës është e njohur. Askush nuk mund ta kontestojë atë familje në asgjë. Ndërkohë ai njihet edhe si nënkryetar i Bashkisë në vitet 2015-1019. Të gjithë ata që kanë kontaktuar me të asokohe e dinë, se unë po them të vërteta të pakontestueshme për personalitetin e këtij njeriu të edukuar dhe të mësuar me traditën e Kukësit e kukësianëve, të Lumës e të limjanëve! Kjo do të thotë se ai është e kundërta e shumicës së kryetarëve të mëparshëm që bashkia e Kuksit ka patur në krye të saj. Nëse qytetarët kukësianë de lumjanët do të duan një kryetar ndryshe! Nëse ata do të duan të mos përballen më me arrogancën dhe arbirtraritetin e kryetarit të radhës! Nëse zgjedhësit nuk duan më të fyhen, të nëpërkëmben, por duan të respektohen për identitetin e integritetin e tyre! Atëherë duhet zgjedhur Emri Vata!
Ai që di të respektojë tjjetrin, ai që është mirënjohës ndaj tjerëve, ai që ndjen dhimbjen e dikujt tjetër, ai gjendet gjithnjë në krah qytetarëve! Kukësi dhe kukësianët kanë shansin më në fund të ndjehen të barabartë edhe me qytetarin numër një të qytetit dhe rrethit të tyre!