DEKLARATË PËR MEDIA E N/KRYETARIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË, DORIAN TELITI
Të dashur qytetarë!
Ka një garë të fortë midis drejtuesve më të lartë të mazhorancës qeverisëse.
Ju ndoshta mendoni se ata garojnë se kush e kush të bëjë më shumë punë për qytetarët, kush e kush të perdori me sa më shumë efiçencë paratë e taksave, por jo, gaboheni rëndë.
Ata nuk garojnë se kush punon më mirë, por se kush e ka më të rëndë dorën e abuzimit me fondet buxhetore.
Rasti më i fundit është vendimi që Erjon Veliaj kërkon të miratojë me kartonat e rilindjes ditën e premte në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Të gjithë patëm një moment lehtësimi kur inceneratori i Tiranës u sekuestrua nga SPAK për një sërë shkeljesh të rënda për të cilat pronarët e saj të deklaruar janë në arrati prej dy vitesh tashmë.
Të gjithë menduam se 103 milionë eurot që i janë paguar padrejtësisht këtij inceneratori që nuk ekziston, do të ktheheshin shumë shpejt në arkën e shtetit.
Të gjithë menduam se që nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj e deri te zyrtari më i ulët i administratës që ka gisht në këtë aferë do dilte para qytetarëve dhe do të kërkonte të pakten një “ndjesë publike”.
Por jo, asnjë nga këto nuk ndodhi, përkundrazi.
Erjon Veliaj planifikon t’i paguajë 5.7 milionë euro të tjera projektit fantazëm të inceneratorit që nuk djeg, me justifikimin e detyrimeve të prapambetura.
Pasnesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një ndër pikat e rendit të ditës janë pikërisht ndryshimet që Erjon Veliaj ka ndërmend të bëjë në buxhetin e bashkisë, ku spikat me nje vlerë tejet të lartë edhe zëri i inceneratorit, me plotë 5.7 milionë euro.
Ndaj i bëjmë thirrje ndërgjegjes qytetare të keshilltareve socialistë. Mos u bëni miratues me kartonin tuaj të vjedhjes së parave të taksapaguesve të Tiranës.
Mos u beni noterë të abuzimit me fondet që në vend që të digjen e vidhen me inceneratorë që nuk ekzistojnë, hajde t’i çojmë për ndërtimin e çerdheve e kopështeve, aq të nevojshme për qytetarët e Tiranës që ne përfaqesojmë.
I bëj edhe njëherë thirrje Ministrisë së Financave, që t’i kthehet ligjshmërisë në pagesat e thesarit dhe të mos tolerojë apo të bëhet palë e asnjë shkeljeje ligjore dhe pagesash abuzime.
Çdo qindarkë vlen, dhe ne këshilltaret e opozitës do mbrojme interesin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Tiranës.
Ju faleminderit!