Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së që u mblodh sot në Kukës, u mor vendim për ngritjen dhe rikonceptimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore në Kuvend. Deputeti Gazmend Bardhi e bëri të ditur këtë vendim para mediave duke nënvizuar arsyen pse u mor. “Për ne, për Grupin Parlamentar të PD është e papranueshme që në dy vjet, Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Lënia pa rezultat e Komisionit të Reformës Zgjedhore, në gjykimin tonë, ka favorizuar vijimin e manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi i Edi Ramës”, theksoi ai.
“Ne jemi ndalur në axhendën parlamentare të kësaj jave që vjen, të së enjtes, ku në fokus ka qënë reforma zgjedhore. Sot, Grupi Parlamentar i PD-së ka autorizuar kryetarin e Grupit që të propozojë projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përbërjen e këtij komisioni, ku konkretisht, bashkëkryetar në emër të Grupit Parlamentar të PD-së është caktuar z. Oerd Bylykbashi, ndërkohë që anëtarë të këtij komisioni propozohen deputetët Dhurata Çupi, Dash Sula, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Lindita Metaliaj, z. Shpëtim Idrizi, z. Fatmir Mediu dhe z. Petrit Vasili nga Partia e Lirisë.
Kjo është përbërja dhe përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të duhet të rikonceptohet edhe për shkak të dy arsyeve madhore. Së pari, sepse brenda kësaj jave, maksimumi javës tjetër del Raporti për Zgjedhjet Vendore dhe pjesë e punës së këtij komisioni do të duhet të jenë edhe rekomandimet e dala nga zgjedhjet e 14 majit nga Raporti i OSBE/ODIHR dhe së dyti, sepse në gjykimin tonë komisioni në gjykimin tonë do të duhet të asistohet nga ekspetët e ODIHR dhe bashkëkryetarët e këtij komisioni do të duhet të ngarkohen nga Kuvendi që t’i drejtohen bashkarisht për asistencë ODIHR-it për punën e tyre në Komisionine Reformës Zgjedhore.
Dua ta them fare hapur, për ne, për Grupin Parlamentar të PD-së, është e papranueshme që në dy vjet, Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Lënia pa rezultat e Komisionit të Reformës Zgjedhore, në gjykimin tonë, ka favorizuar vijimin e manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi i Edi Ramës. Për këtë arsye e kemi kthyer në fokus të punës së Grupit Parlamentar, sikundër kemi bërë rikonceptimin e përbërjes së komisionit dhe sigurisht, të detyrave të komisionit”, tha Bardhi.