Autoritetet në Prishtinë thanë të martën se një nga pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës të dielën në veri, është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni ku shihet një grup personash të armatosur rëndë teksa qëndrojnë në një pjesë të ndërtesave të manastirit ortodoks në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Në pamje theksohet se një nga ta është Milan Radojçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Kryekrimineli Radojçiç ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkroi në rrjetin Facebook ministri Sveçla
As Lisa Serbe dhe as vet nënkryetari i saj Radojçiç nuk kanë komentuar pohimet e tilla. Autoritetet në Serbi e kanë mohuar çfarëdo lidhjeje me grupin.
Lista Serbe shpalli ndërkaq tre ditë zie në zonat e banuara me shumicë serbe në kujtim të tre sulmuesve të armatosur që u vranë të dielën në përleshje me policinë. Qeveria e Serbisë e shpalli të mërkurën ditë zie.
“Ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, shkroi ministri Sveçla.
Gjashtë persona u arrestuan pas përleshjeve të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.
Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë.
Një gjykatë në Prishtinë, u shqiptoi sot masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre personave të arrestuar për përfshirje në sulmin e së dielës. Që të tre, sipas gjykatës dyshohen për përfshirje në “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprave terroriste”. Për dy prej tyre masa u shqiptua në gjykatë, ndërsa për të tretin seanca u mbajt në spital ku po trajtohet për shkak të plagëve të pësuara gjatë përleshjeve.
“Dushan Maksimoviçit sot i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim. Ne do të ankimojmë aktvendimin. Kemi vënë në dukje disa fakte që besojmë se janë relevante dhe që tregojnë se kjo është diçka që ndoshta është më shumë keqkuptim sesa diçka që mund të lidhet me krimin”, tha Dejan Vasiç, avokat i njërit prej të arrestuarve.
Kosova i bëri thirrje Serbisë që të dorëzojë serbët e armatosur, për të cilët tha se ishin arratisur pas sulmit të së dielës, i cili ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit./ VOA/