Nëse ndokush ka humbur shfaqjen e javës së kaluar të Ernest Muçit në Ligën e Konferencës, nuk do të jetë e vështirë që të shohë atë që ka bërë sulmuesi shqiptar në ndeshjen e Legias ndaj Aston Vilës.
Sulmuesi ishte protagonist absolut i fitores së skuadrës së tij me 2 gola të shënuar në këtë ndeshje dhe nuk është aspak rastësi që ka marrë elozhe nga të gjithë.
Edhe vetë UEFA është e bindur se emri i Muçit do të përmendet vazhdimisht në të ardhmen dhe për këtë arsye, ka paralajmëruar të gjithë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se duhet të kujtojnë shqiptarin pasi bëhet fjalë për një futbollist me shumë të ardhme.
“Ernest Muçi. Kujtojeni këtë emër” shkruante UEFA në profilin e saj zyrtar të Ligës së Konferencës në Twitter, adrese e cila ka shpërndarë vazhdimisht postime për futbollistin shqiptar gjatë ditëve të fundit, që pas asaj paraqitje mbresëlënëse ndaj Aston Vilës.