Kur drejtësia bëhet për TikTok

Nga Lutfi DERVISHI

Lajmi i sekuestrimit të disa celularëve nga BKH, në Universitetin Bujqësor apo në Ministrinë e Infrastrukturës, lajmet e “videove” private pa asnjë interes për publikun, por edhe rrjedhja e lajmeve me “interes për publikun” ngrenë pikëpyetje mbi seriozitetin e punës së BKH dhe prokurorëve.

Duket se nuk është e tepërt t’i thuash një takëmi hetuesish dhe prokurorësh që nxjerrja e sekretit hetimor është kompromentim i hetimit dhe shkelje e ligjit.

Kur detaje të hetimit bëhen publike, personat nën hetim nuk janë budallenj dhe konkluzionet e “gjykatësve popullorë” në facebook dhe portale nuk janë prova për sallën e gjyqit.

Ka shumë pak gjasë që këto informacione t’i kenë bërë publik “viktimat”. Duket se ka një keqkuptim të madh ose hetuesit/prokurorët nuk kanë përvojë në hetim dhe duan të tregojnë se po punojnë ose i ka zënë virusi i spektaklit.

Publikimi me detaje i bisedave të “Metamorfozës” është tjetër rast kur “sekreti hetimor” nuk është në axhendë të hetuesve dhe prokurorëve. Rrjedhja e informacionit është bërë autostradë, por nuk ka asnjë hetim të regjistruar.

Përveç minimit të integritetit të hetimit dhe besimit të publikut në institucione, këto lajme nga dosjet e hetuesve dhe prokurorëve po kthehen në karburant për tituj që vetëm me të vërtetën nuk kanë lidhje.

Interesi publik ngatërrohet me “interesant për publikun” dhe dinjiteti i njeriut nëpërkëmbet me gjysëm të vërteta, thashetheme, përgojime dhe verdikti popullor vjen me shpejtësinë e vetëtimës.

Ëështë detyrë e gazetarëve të gërmojnë dhe të gjejnë materiale qoftë edhe ato që përbëjnë sekret hetimor, por është detyra e punonjësve të agjencive ligjzbatuese të ruajnë sekretin.

Nëse hetuesit dhe prokurorët mendojnë se me “rrjedhje informacioni” bëhen të famshëm, kanë zgjedhur profesionin e gabuar. Bota e spektaklit i ngjan tabelës së Mendelejevit, ka gjithmonë kuti bosh për elementë të rinj.

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply