Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nuk mund të pajtohemi me një Vuçiç të dytë në Tiranë. Ai tha se, kjo situatë është një kushtrim për një mobilizim total për të luftuar regjimin!
“Të gjithë ju që keni pasur mundësi të lexoni dacibaon e Edi Ramës, konstatoni se ajo është e denjë absolutisht vetëm për zyrat e Sigurimit të Shtetit, të gjykatave të popullit të diktaturës, ose të zyrave të Gestapos.
Jashtë çdo lloj imagjinate, që të shkruhen qindra faqe për të përdorur reformat për të akuzuar armikun. Reformat nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra shqiptarë. Qindra-mijëra shqiptarë! Në një akt me të cilin, dëshmon fytyrën e tij të vërtetë. Por, që unë kam besim që motivon sot më shumë se kurrë çdo demokrat.
Nuk është këtu çështje e sulmit ndaj Sali Berishës, çështja themelore është se Edi Rama me dy-tre vrasës me pagesë të reformave, kërkon t’i përdorë ato kundër autorit të tyre. Të gjitha janë vendime kolektive, të gjitha ligje parlamenti. Kërkon të nxjerrë jashtë funksionit, të delegjitimojë parlamentin si ligjvënës. Qeverinë si ligjzbatuese dhe hartuese ligjesh dhe vendime. Dhe të krijojë këtu sundimin e tij me 4-5 vrasës të ligjeve, të Kushtetutës, të demokracisë.
Kurrë nuk ka ekzistuar nga viti 1946 një histori e tillë. Them nga 46-a se ishte histori pluralizmi. Ata që u pushkatuan ishin burra viganë që e dinin se çfarë i priste dhe vendosën të dalin kundër. Ndaj, kjo situatë është një kushtrim për një mobilizim total të të gjithë atyre që janë të gatshëm të luftojnë një regjim të tillë.
Është një kushtrim për një mobilizim të plotë dhe total të të gjithë atyre që besojnë se demokracia në Shqipëri duhet të ndërtohet me ideale dhe jo me botën e korrupsionit dhe krimit. Është një kushtrim për të gjithë ata që duan t’i dalin zot vullnetit të tyre, që të mos përdoren si kavie në ditën e votimit, siç jemi përdorur 46 vite nga diktatura.
Është një kushtrim për çdo shqiptar, duhet të kujtohet të zgjedhë mes Shqipërisë apo apatisë? Të zgjedhë mes kombit dhe flamurit, apo nënshtrimit dhe poshtërimit? Çfarë synohet me këtë? Një komb pa opozitë është një komb pa shpirt. Një komb që nuk e meriton të quhet komb. Lidhur me këtë, kujtoni vetëm qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Po i shkopisim nga konteksti i demokracisë shqiptare.
Ka 8 vite me egërsinë më të madhe përdor pushtetin e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ne nuk jemi apatridë, jemi burra dhe gra që e duam këtë vend. Sa janë ata që e duan? Unë them se janë shumë. Ne nuk mund të pajtohemi më me këtë situatë. Nuk mund të pajtohemi me një Vuçiç të dytë në Tiranë. Nuk mund të pajtohemi me një Pashiq të dytë në Tiranë.
Ne jemi parti e interesit kombëtar. Përndryshe më mirë të mos jemi. Në momentin që nuk do jemi dalëzotës të interesit të kombit, më mirë të mos ekzistojmë.
Kjo është historia, ditën e themelimit të saj, shkruhet se PD do jetë parti e interesit kombëtar. Sepse Partia e Punës kishte qenë për 46 vite, parti kundër interesit kombëtar. Kishte shkelmuar me akte, me traktate, me marrëveshja, me çdo gjë interesat, gjer në sovranitetin e Shqipërisë, që donte të në bashkonte me Jugosllavinë. Kurse sot jetojmë në një kohë kur vendi fqinj vëlla, apo motër të themi se janë 90 e ca përqind shqiptarë, sulmohet nga Tirana zyrtare me egërsinë më të madhe.
Nuk mund ta pranojmë kurrë këtë. Ne bëmë një protestë dhe bëmë shumë mirë, kundër projektit të Vuçiç dhe Lavrov të Ballkanit të Hapur. E mbushëm sheshin. Ai projekt, falë BE u gropos.